Dronët shkaktojnë serish kaos në aeroportin e Londrës

Bota

Dronët shkaktojnë serish kaos në aeroportin e Londrës

Më: 8 janar 2019 Në ora: 20:14
Heathrow

Fluturimet në Heathrow janë anuluar sonte për një orë pas raportimeve të një droni mbi pistë, duke shkaktuar kaos për udhëtarët vetëm disa javë pasi e njëjta gjë ndodhi edhe në Gatwick.

Vëzhgimet me drone kanë sjellë kaos për mijëra pasagjerë në aeroportin e Heathrow, ndërkohë që policia ka nisur hetimet.

Shumë udhëtarë janë ende duke pritur për të marrë shërbimet e aeroportit, i cili është më i madhi në Britaninë e Madhe, duke shërbyer më shumë se 200,000 njerëz çdo ditë.    

Lajmi vjen vetëm disa javë pasi u prekën më shumë se 1,000 fluturime dhe 140,000 pasagjerë në kohën e Krishtlindjes mes kaosit të zjarrtë në Gatwick, raportojnë mediat britanike.

Një zëdhënës i aeroportit tha se janë duke vazhduar bashkëpunimin me policinë për t’iu përgjigjur raportimeve për praninë e droneve në Heathrow.  Edhe policia konfirmoi se fluturimet janë suspenduar pas raportimeve në ora 17.00, për praninë e dronëve.

Ekspertët besojnë se një dron i madh mund të rrëzojë një avion pasagjerësh, pasi ai mund të dëmtojë motorët ose dritaret, duke shkaktuar një rënie të papritur të presionit të kabinës, transmeton KosovaPress.

Operatorët e dronëve gjithashtu do të ndalohen të fluturojnë brenda tre miljeve të një aeroporti dhe lartësia maksimale që ata mund të fluturojnë do të ulet, shkruan Daily Mail.

Policia do të jetë gjithashtu në gjendje të detyrojë operatorët që të aterrojnë dhunshëm dronet që fluturojnë ilegalisht pranë aeroporteve dhe burgjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat