Luftë për pushtet në Venezuela - BE nuk e njeh formalisht Guaidon

Bota

Luftë për pushtet në Venezuela - BE nuk e njeh formalisht Guaidon

Më: 24 janar 2019 Në ora: 15:29
Presidenti i parlamentit të Venezuelës, Juan Guaido u vetëshpall president i vendit.

Presidenti i parlamentit të Venezuelës, Juan Guaido u vetëshpall president i vendit. Por Nicolas Maduro nën presion të madh mund të shpresojë tek ndihma e ushtrisë. BE mbështet Guaidon, por nuk e njeh formalisht.

Kriza qeveritare në Venezuela është ashpërsuar më shumë pas deklaratës së presidentit të parlamentit, Juan Guaido se ai është edhe president i vendit, duke i shpallur kështu luftë hapur presidentit Maduro. Pak minuta më vonë presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh, se ai e njeh Guaidon si president legjitim të vendit. Qeveria amerikane i bëri thirrje Maduros të sigurojë një dorëzim paqësor të pushtetit ndryshe socialistët do të përballen me pasoja. "Të gjitha opcionet janë në tavolinë", theksoi Trump. Presidenti amerikan u bëri thirrje vendeve perëndimore të njohin Juan Guaidon si president të përkohshëm.

Maduro i zemëruar

Kreu socialist i vendit, Nicolas Maduro reagoi menjëherë duke vendosur ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA. "Qeveria imperialiste e SHBA dëshiron të vendosë një qeveri marionetë në Venezuela", akuzoi Maduro SHBA. Personeli diplomatik i SHBA duhet të largohet brenda 72 orëve nga vendi kërkoi presidenti Maduro.

Replika nga SHBA nuk mungoi: "Shtetet e Bashkuara nuk e njohin regjimin e Maduros si qeveri të Venezuelës", deklaroi sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo. "Si pasojë, SHBA nuk janë të mendimit, se presidenti i mëparshëm, Nicolas Maduro ka kompetencën ligjore për të ndërprerë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe të deklarojë diplomatët tanë si persona të padëshiruar."

Image

Ushtria - faktor pushteti

Maduro megjithatë e ka edhe një kartë në dorë - ushtrinë. Gjeneralët e fuqishëm të ushtrisë janë në postet më kyçe të vendit të sfilitur nga korrupsioni dhe varfëria. Ata kontrollojnë biznesin e naftës, importin e artikujve ushqimorë, bankat dhe minierat. Ministri venezuelian i Mbrojtjes, Vladimir Padrino i siguroi Maduros mbështetjen. "Ushtarët e atdheut nuk pranojnë asnjë president të vendosur nga fuqi të errëta, dhe që jashtë ligjit e shpall veten president" shkroi Padrino në twitter.

Guaido nga ana e tij u bëri thirrje forcave të armatosura të dalin në krah të kundërshtarëve të qeverisë. Mjaft ka vuajtur populli nën "diktaturën katastrofale" të Maduros, tha Guaido.

Image

Pas SHBA e njohën Guaidon si president të përkohshëm të vendit edhe Brazili, Paraguaji, Kolumbia, Kili, Peruja, Argjentina, Guatemala, Kosta-Rika, Ekuadori. Edhe Kanadaja u shpreh e mbështet Guaidon. Meksika, Bolivia dhe Kuba i mbeten besnik Maduros. Shqipëria u shpreh pro njohjes së presidentit të vetëshpallur, Juan Guaido. Kryeministri Rama, edhe ministër i Jashtëm shkroi në twitter se Shqipëria e njeh Guaidon si kreun e shtetit të Venezuelës. Rama i uroi sukses venezuelianëve në "zhdukjen e paligjshmërisë".

BE pozicionohet

E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini ka bërë thirrje për zgjedhje të reja në Venezuela dhe ka siguruar mbështetjen për opozitën në parlament. "Bashkimi Europian thekson thirrjen për fillimin e një procesi politik, që çon në zgjedhje të lira e të besueshme në përputhje me kushtetutën", tha Mogherini. BE mbështet Asamblenë e Përgjithshme të drejtuar nga presidenti i vetëshpallur Juan Guaido "si institucion demokratik të zgjedhur, kompetencat e saj duhen respektuar dhe rivënë në vend", deklaroi më tej Mogherini.

Image
Maduro përshëndet përkrahësit e tij në Karakas, 23.01.2019

Por Mogherini nuk bëri njohjen formale të Guaidos si president. Ajo kërkoi që të respektohen të drejtat qytetare, liria dhe siguria e Guaidos. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas në kuadër të vizitës në Uashington u shpreh, se situata "është kritike" por "ne të gjithë nuk duam të japim kontribut në shkallëzimin e mëtejshëm të saj."

Maduro përshëndet përkrahësit e tij në Karakas, 23.01.2019

Të mërkurën (23.02) dhjetëra mijëra venezuelianë dolën në rrugë duke ndjekur thirrjen e opozitës kundër qeverisë socialiste. Edhe përkrahësit e Maduros dolën në rrugë për të treguar solidaritetin me qeverinë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat