Liderët europianë ultimatum Maduros

Bota

Liderët europianë ultimatum Maduros

Më: 27 janar 2019 Në ora: 00:48
Nicolas Maduro

Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Spanja kanë paralajmëruar Presidentin venezuelian Nicolas Maduro që të thërrasë zgjedhjet e parakohshme brenda 8 ditësh, në të kundërt do të njohin zyrtarisht kryetarin e opozitës si President të ligjshëm.

Juan Guaido, kreu i opozitës, u vetëshpall President i Venezuelës dhe u betua si i tillë pas protestave masive të ditës së martë dhe të mërkurë. Guaido u njoh menjëherë nga Presidenti amerikan Donald Trump si kreu i shtetit të Venezuelës. Po kështu veproi edhe Shqipëria pak orë më vonë, duke ndjekur rrugën e SHBA.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Venezuelës, Jorge Arreaza u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit në OKB se Presidenca e Nikolas Maduro është e ligjshme dhe refuzoi që ndërkombëtarët të japin ultimatume nëse duhet të ketë zgjedhje të parakohshme ose jo në Venezuelë.

Maduro ka akuzuar Guaido për organizim të grushtit të shtetit, ndërsa diplomatët amerikanë i ka urdhëruar të largohen nga vendi. Venezuela rrezikon një luftë civile, ndërsa edhe ndërkombëtarët janë ndarë se cilin mbështesin si President të vendit. Në krah të Maduros janë reshtuar Rusia, Kina, Meksika dhe Turqia. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat