Koment: BE dështon në politikën për Venezuelën

Bota

Koment: BE dështon në politikën për Venezuelën

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 08:45
Takimi i ministrave të Jashtëm në Bukuresht, 31.01.2019

Për pak ministrat e Jashtëm të BE do të kishin arritur të dilnin me një qëndrim të përbashkët për Venezuelën. Këtë shans ata e humbën, por arsyeja e këtij dështimi të zemëron më shumë, mendon Barbara Wesel.

Është që të të ngrihen qimet e kokës përpjetë! Parlamenti Europian bëri hapin e parë dhe me shumicë e njohu Juan Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës, duke kaluar me këtë në anën e "forcave demokratike" në Venezuelë. Mbështetja e PE për opozitën në këtë vend e forcon simbolikisht kundërshtarin e Nicolas Maduros. Për një formë të tillë të politikës së jashtme Parlamenti Europian nuk është përgjegjës, por ai lëshoi me këtë mbështetje një sinjal politik. Në të njëjtën kohë qëndronin të ulur në Bukuresht ministrat e Jashtëm të BE në një takim të radhës, duke pasur shansin, që ta përforconin këtë lajm disa orë më vonë. Një deklaratë të përbashkët mbështetëse për opozitën në vendin që po zhytet në kaos. Por kjo deklaratë dështoi vetëm për shkak të një ministri, siç u tha më vonë. Ndoshta po të ishin marrë më intensivisht ministrat e Jashtëm me këtë vetmitar, duke i bërë një kundërofertë, ndoshta do të ishte arritur ujdia.

Dobësia e presidencës dhe sistemit

Por kështu iku edhe një shans për të dërguar sinjale pozitive uniteti në politikën e jashtme. Kjo ka të bëjë edhe me aftësinë për të drejtuar bisedimet. Çdo vit e merr presidencën një vend i BE. Kësaj radhe presidencën e ka Rumania, një vend me një qeveri të shkundur nga skandalet dhe një mungesë të theksuar të politikanëve të zotë dhe me përvojë. Për fat të keq në debatin për Venezuelën u tregua qartë e gjithë dobësia e sistemit.

Image
Barbara Wesel

Finlanda kishte ofruar që të merrte presidencën në vend të rumunëve të papërgatitur. Por Bukureshti nuk donte asnjë këmbim. Në një kohë që qeveria e Helsinkit do t'ia kishte dalë me siguri të arrinte në një ujdi për Venezuelën. Këtu u poqën një vend anëtar shumë i dobët e që mban presidencën me një dështim të sistemit. BE mund të luajë rol në Venezuelë, megjithëse ajo historikisht nuk ka qenë e ankoruar ndonjëherë atje. Por në grindjen e dy superfuqive Rusi-SHBA për sferat e influencës do të kishte më shumë hapësirë për Europën për të ndërmjetësuar dhe ndihmuar, sidomos për të ofruar ndihmë për popullsinë që vuan nga mungesa e furnizimeve. Presidenti Maduro nuk e ka lejuar futjen e ndihmave humanitare. Ndërkohë eksodi masiv vazhdon. Maduro e ashpërson gjendjen edhe më shumë me arrestimin e gazetarëve të huaj dhe vështirësimin e punës së tyre. Gjithçka të thotë këto ditë, se lufta mes regjimit dhe opozitës po hyn në një fazë vendimtare.

Humbja e shansit për dërgimin e një mesazhi politik

Në këtë kuadër, për BE nuk do të kishte qenë e vështirë të pozicionohej dhe ta linte pas dyzimin politik. Pavarësisht se si e përcaktojnë Moska dhe Uashingtoni politikën e tyre të interesave në Venezuelë, Europa mund të kishte dërguar një mesazh të qartë duke u pozicionuar në krah të opozitës. Një president, që e shtyp kaq masivisht vendin e tij ka humbur çdo legjitimitet. Tani në mungesë të një deklarate, vendet e BE-së njëri-pas tjetrit do ta japin në javën që vjen mbështetjen e tyre për Guaido. Duke e humbur mesazhin politik dhe shansin për unitet në politikën e jashtme. Dhe duhet kuptuar se veçanërisht në politikën e jashtme Europa është më e fortë kur është e bashkuar. Ishte e mundur të mënjanohej dështimi në Bukuresht, prandaj kjo të zemëron./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat