Nxirret trupi i pajetë nga avioni i futbollistit të zhdukur, ende i pakonfirmuar - Bota Sot
Nxirret trupi i pajetë nga avioni i futbollistit të zhdukur, ende i pakonfirmuar

Bota

Nxirret trupi i pajetë nga avioni i futbollistit të zhdukur, ende i pakonfirmuar

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 08:58
Ilustrim

Një trup i pajetë është rikuperuar në rrënojat e avionit që u përplas mbi ujërat e kanalit të La Manshit, me futbollistin Emiliano Sala dhe pilotin David Ibbotson në bord, plot tri ditë pasi u gjet avioni.

Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore (AAIB) nuk ka dalë në një konkluzion nëse trupi është i sulmuesit argjentinas, apo i pilotit, pas zhdukjes së të dyve që prej 21 janarit.

Përmes përdorimit të pajisjeve të telekomanduara në “kushte sfiduese” të një moti të keq, AAIB dhe specialistët e kontraktuar prej saj kanë rikuperuar me sukses trupin e parë, pas një ekzaminimi tejet të thelluar pamor të vendit të aksidentit.

“Operacioni është zhvilluar në mënyrën më dinjitoze të mundshme dhe familjarët janë mbajtur nën informim mbi çdo progres të bërë, – thuhet në deklaratën e AAIB-së. – Për fat të keq, përpjekjet për të rikuperuar mbetjet e avionit rezultuan të pasuksesshme, pasi moti i keq na detyroi të rikthenim pajisjet e telekomanduara në anijen tonë”.

Për shkak të motit të rënduar dhe parashikimeve që një gjë e tillë mund të zgjasë, institucioni që po merret me këtë çështje thotë se është marrë vendimi i vështirë për ta deklaruar të mbyllur të gjithë këtë operacion.

Trupi i rikuperuar ndërkohë është dërguar në Portland, për t’i kaluar më pas ekspertëve mjekoligjorë nga Dorset (Dorchester) për t’u ekzaminuar.

Avioni “Piper” me futbollistin Sala në bord ishte nisur nga Nantes në Francë me destinacion Cardiffin në Uells, por u zhduk nga radarët mbi kanalin e La Manshit, vetëm pak momente pasi 28-vjeçari kishte nënshkruar kontratën me ekipin e ri të Premier League, Cardiff City.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...