Sekretari i NATO-s Stoltenberg: Rusia po përpiqet të ndërhyjë në Ballkan

Bota

Sekretari i NATO-s Stoltenberg: Rusia po përpiqet të ndërhyjë në Ballkan

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 19:59
Stoltenberg

NATO-ja tha se Rusia ka bërë përpjekje të ndërhyjë dhe të ndikojë te vendet e Ballkanit që duan t’i bashkohen aleancës ushtarake të mbrojtjes.

 

Stoltenberg foli në ditën kur Republika e Maqedonisë së Veriut nënshkroi një pakt që do t’i hapë rrugë kësaj të fundit për anëtarësim në NATO. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, i bëri këto komente në një intervistë ekskluzive për Euronews-in.

‘Rusia përpiqet të ndërhyjë në proceset politike të shteteve sovrane. Mendoj se një gjë e tillë është gabim’, tha Stoltenberg.

‘NATO i respekton, ne i respektojmë vendimet e shteteve të pavarura sovrane, pavarësisht nëse duan të hyjnë në NATO ose nëse nuk duan të hyjnë në NATO’, shtoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Stoltenberg foli edhe për largimin e Uashingtonit dhe të Moskës nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme. Pakti i cili sipas SHBA-së është shkelur nga Rusia, i ka ndaluar dy vendet të përdorin raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme.

'Nuk duam një garë të re armësh dhe do të përpiqemi ta bindim Rusinë që të kthehet në përputhje me traktatin', tha Stoltenberg.

‘Ne do t’i shqyrtojmë jo vetëm pasojat ushtarake, por edhe atë se si mund të marrim iniciativa të reja mbi kontrollin e armëve. Duhet të sigurojmë që NATO - në një botë pa Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme dhe me më shumë raketa ruse - është në gjendje të ofrojë mbrojtje efektive', tha Stoltenberg.

Traktati është nënshkruar në vitin 1987 nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Ronald Reagan, dhe udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev. Ky traktat konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat