Shkencëtarët hungarezë protestojnë kundër riorganizimit të Akademisë së Shkencave

Bota

Shkencëtarët hungarezë protestojnë kundër riorganizimit të Akademisë së Shkencave

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 07:55
Ilustrim nga protesta

Shkencëtarët hungarezë mbanin libra mbi kokën e tyre ndërsa protestuan të martën kundër planeve të qeverisë për të riorganizuar kërkimin dhe financimin e Akademisë Hungareze të Shkencave për të sjellë më shumë përfitime ekonomike.

Kryeministri Viktor Orban, një udhëheqës konservator i cili erdhi në pushtet në vitin 2010, e ka shtrënguar kontrollin e jetës publike hungareze, siç janë gjykatat, mediat, ekonomia, si dhe edukimi dhe tani kërkimet shkencore.

“Situata aktuale, e cila mban 5,000 hulumtues dhe staf të MTA-së në një limbo ekzistenciale dhe shkencore, kërcënon të ardhmen e të gjithë komunitetit shkencor hungarez”, thanë në një deklaratë punonjësit e akademisë në faqen e tyre të internetit.

Qeveria vitin e kaluar vendosi të rishpërndajë fondet nga akademia (MTA), dhe muajin e kaluar ajo filloi një tender për fondet në vend që t’i lejonte institucionet kërkimore të shpërndanin ato siç e panë të arsyeshme.

Akademia, e cila kryen kërkime shkencore duke përdorur një rrjet të institucioneve kërkimore të specializuara, financohet vetëm nga qeveria, duke marrë 40 miliardë dollarë në vit.

Orban dërgoi një letër të hapur në uebsajtin e tij të martën, në të cilën ai iu drejtua disa kritikave të renditura në planet e tij.

“Garancia për të gjeneruar përfitime ekonomike nga dija ende mungon nga sistemi i kërkimit dhe inovacionit”, shkroi ai. “Rritja e vlerës së shtuar të industrisë vendase është e mundur vetëm nëse përqendrohen në burimet e tyre”.

Protestuesit në Budapest mbajnë parulla ku thonë se “MTA nuk është një ATM”. Ata sollën libra shkencorë me vete, të cilat i mbanin mbi kokë, në një kujtesë për rëndësinë e shkencës së pavarur.

Masat e Orbanit për të rindërtuar pjesë të ndryshme të shoqërisë kanë tërhequr kritika nga partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë një rezolutë në Parlamentin Europian vitin e kaluar për të sanksionuar Hungarinë për shkeljen e rregullave të BE mbi demokracinë, të drejtat civile dhe korrupsionin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat