Pence kritikon aleatët evropianë ludhur me Iranin, Venezuelën, Rusinë

Bota

Pence kritikon aleatët evropianë ludhur me Iranin, Venezuelën, Rusinë

Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 21:49
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence kritikoi ashpër aleatët evropianë të shtunën, për qëndrimin e tyre ndaj Iranit dhe Venezuelës, në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

“Ka ardhur koha që partnerët tanë evropianë të ndalojnë së sabotuari sanksionet amerikane ndaj këtij regjimi vrasës, revolucionar. Partnerët tanë evropianë duhet të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin”, u tha zoti Pence pjesëmarrësve.

Ai u bëri gjithashtu thirrje aleatëve që të njohin udhëheqësin e opozitës venezueliane, Juan Guaido si presidentin legjitim të atij vendi. Mbi 20 vende evropiane e kanë bërë një gjë të tillë, por Bashkimi Evropian nuk e ka njohur plotësisht Guaidonë si president. Presidenti Nicholas Maduro, të cilin Shtetet e Bashkuara nuk e njohin, akuzohet se ka manipuluar rezultatin e zgjedhjeve të vitit të kaluar në favor të tij, ndërsa Venezuela është zhytur në varfëri dhe hiperinflacion.

“Bota e Vjetër ka edhe një herë rastin të mbajë një poicion të vendosur në mbështetje të lirisë në Botën e Re. Sot i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të ngrejë zërin për lirinë dhe të njohë Juan Guaidonë sit ë vetmin president legjitim të Venezuelës”, tha zoti Pence.

Kina u përmend disa herë nga nënpresidenti si kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

“Shtetet e Bashkuara ua kanë bërë gjithashtu të qartë partnerëve të sigurisë, kërcënimin që paraqesin Huawei dhe kompani të tjera kineze të telekomunikacionit, pasi ligji kinez u kërkon që t’i lejojnë aparatit të gjerë të sigurisë së Pekinit, qasje ndaj çdo të dhëne që prek rrjetin apo paisjet e tyre”, tha zoti Pence.

Ai përsëriti gjithashtu thirrjet e Uashingtonit ndaj aleatëve evropianë të NATO-s që të bëjnë më shumë përpjekje për të plotësuar detyrimet për shpenzimet e tyre ushtarake dhe paralajmëroi kundër zhvillimit të lidhjeve ekonomike me Moskën, si Gazsjellësi Verior 2, që është nën ndërtim e sipër mes Rusisë dhe Gjermanisë.

“Ne nuk mund të garantojmë mbrojtjen e Perëndimit nëse aleatët tanë rrisin varësinë nga Lindja”, tha zoti Pence.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov mori fjalën më pas dhe tha se Evropa po humb nga qëndrimi që po mban ndaj Rusisë.

“Në një kohë kur evropianët i lejuan vetes të hyjnë në një krizë të pakuptimtë me Rusinë dhe pësuan humbje miliarda dollarëshe nga sanksionet e imponuara nga ana tjetër e oqeanit, bota po ndryshon me shpejtësi. Në fakt Bashkimi Evropian e ka humbur monopolin në programin e integrimit rajonal”, tha ai.

Kancelarja gjermane Angela Merkel kritikoi ashpër pretendimen e Presidentit amerikan, Donald Trump se Evropa po përfitonte nga Amerika në tregëti.

Konferenca e Sigurisë e Mynihut, shihet si një forum me peshë i përvitshëm për udhëheqësit botërore që të diskutojnë për shqetësimet e sigurisë globale dhe konfliktet, në takime publike dhe me dyer të mbyllura.

Analistja Florence Gaub e Institutit të Bashkimit Evropian për Studime Sigurie tha së këtë vit është një atmosferë e pasigurt.

“Ka shumë shqetësim se rendi i vjetër, kur gjithçka ishte ose të paktën dukej më e parashikueshme, ka marrë fund. Prandaj ky realitet po zë vend dalëngadalë”, tha ajo. Toni i fjalimeve në konferencë, lë të kuptohet se edhe mes aleatëve, tensionet për rendin botëror në ndryshim e sipër, janë shumë larg zbutjes./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat