Merkel dhe Mike Pence këndvështrime të ndryshme për botën

Bota

Merkel dhe Mike Pence këndvështrime të ndryshme për botën

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 11:50
Angela Merkel dhe Mike Pence

Ata e shohin nga këndvështrime të ndryshme botën. Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence. Presidenti amerikan, Donald Trump nuk ishte pjesë e kësaj konference të rëndësishme që trajton problemet e sigurisë globale, duke theksuar kështu qëndrimin e tij „America First”. Ndërsa Merkel kërkon të shpëtojë multilateralizmin, që e përcakton botën nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e të cilin për ironi e nxitën vetë Shtetet e Bashkuara.

A është rastësi që njoftimi i fundit për grindjen tregtare me SHBA del pikërisht gjatë kësaj konference në pah? Merkel mund të përmendte një shembull të freskët për largimin e SHBA nga bashkëpunimi me partnerët: Ministria e Tregtisë në SHBA me sa duket ka arritur në përfundimin, se automjetet nga Gjermania janë një kërcënim për SHBA. Mbi këtë bazë presidenti Trump mund të ngrejë dogana të reja. Merkel e ironizoi hapur këtë. Shumë automjete prodhohen në filiale të koncerneve gjermane në SHBA: „Nëse këto automjete që prodhohen në South Caroline janë papritur një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA, atëherë kjo na shokon”, tha Merkel.

Merkel: Mos i shkatërroni strukturat Megjithë ironinë, Merkel mbajti një fjalim mjaft serioz. Tingëlloi si amaneti i saj. Ajo preku të gjitha temat e mëdha botërore, nga tregtia botërore tek migrimi, nga Rusia tek Kina e Irani. Mesazhi i saj vendimtar: „Strukturat janë nën presion të madh”, por ne „nuk duhet thjesht t’i shkatërrojmë”. Ajo nuk e tha hapur, por pikërisht për këtë ajo e akuzoi presidentin Trump.

Mesazhi i dytë i Merkelt: Duhet të mbetemi në dialog, edhe me partnerë të vështirë. Kjo vlen sidomos për Rusinë. Nga pikëpamja gjeostrategjike, Europa megjithë vështirësitë që ka me Rusinë „nuk ka interes të prishë të gjitha marrëdhëniet me Moskën”. Në këtë kontekst Merkel shprehu mbështetjen edhe njëherë për gazsjellësin e kontestuar, Nord Stream 2, përmes të cilit vjen direkt gaz nga Gjermania në Rusi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat