A do ta zbehin samitin e Vishegradit deklaratat e Netanyahut për Poloninë?

Bota

A do ta zbehin samitin e Vishegradit deklaratat e Netanyahut për Poloninë?

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 13:43
Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki dhe ai izraelit, Benjamin Netanjahu gjatë samitit në Varshavë. 14 shkurt, 2019.

Një koment i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në Varshavë rreth Polonisë dhe Holokaustit duket se do të zbehë samitin e liderëve të Evropës Qendrore, që do të mbahet këtë javë në Izrael.

Vendimi i papritur i Polonisë për të zvogëluar prezencën në konferencën e Vishegradit, ka ngritur pikëpyetje për takimin, të cilën Netanyahu e ka cilësuar të rëndësishme për të luftuar kritikat me të cilat përballet Izraeli në forume ndërkombëtare.

Kriza ka shpërthyer javën e kaluar kur Netanyahu u ka thënë gazetarëve se “polakët kanë bashkëpunuar me nazistët”. Ky koment ka zemëruar nikoqirët e tij polakë, të cilët kanë kundërshtuar sugjerimet se shteti i tyre ka bashkëpunuar me Adolf Hitlerin.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka njoftuar të dielën se nuk do të marrë pjesë në samitin e Vishegradit këtë javë, një takim mes kryeministrave të Hungarisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë.

Takimi i së martës në Jerusalem shënon herën e parë që një takim i tillë do të mbahet jashtë Evropës, transmeton AP.

Mirëpo kaosi është krijuar pasi Netanyahu ka qenë duke mbrojtur aleancën e tij të ngushtë me Poloninë dhe liderët e vendeve tjera të Evropës Lindore, kur ka bërë ato komente.

Historianët dhe kritikët e brendshëm kanë akuzuar Netanyahun për marrëdhënie të mira me liderët nacionalistë, të cilët kanë promovuar një pamje të çorientuar të Holokaustit, si dhe për mbyllje të syve ndaj anti-semitizmit të lidhur me po ata.

Së fundmi Netanyahu ka mirëpritur liderët e Lituanisë, Ukrainës dhe shteteve tjera, që janë përfshirë në ngjarje përkujtimore selektive të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, duke ulur fajësinë e shteteve të tyre, derisa kanë krijuar heronj nacionalistë anti-sovjetikë, që kanë qenë të përfshirë në vrasje masive të hebrenjve.

Duke u përgjigjur në një pyetje të agjencisë së lajmeve, The Associated Press gjatë vizitës së tij dyditore në Varshavë, Netanyahu ka thënë se ai dëshiron të diskutojë për riinterpretimin historik me disa liderë.

Ai ka mohuar idenë se ai ka qenë partner në zvogëlimin e pjesëmarrjes së dikujt në gjenocidin e kryer ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore.

“E di historinë. Nuk dua ta ndryshoj atë. Në Lituani, kanë ndodhur disa gjëra të tmerrshme. Askush nuk e fsheh atë”, ka thënë Netanyahu.

“E gjithë kjo ide e të ndryshuarit të historisë – ne nuk e ndryshojmë atë, nuk e fshehim sepse nuk është në interesin e askujt”.

Në një njëjtën konferencë, Netanyahu ka tentuar që të shmangë kritikat e bërë ndaj tij nga historianët izraelitë, lidhur me marrëveshjen që ka bërë ai me udhëheqësit polakë, lidhur me një ligj kundërthënës rreth Holokaustit, i cili ka penalizuar fajësimin e kombit polak për krimet e kryera kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore .

Zyrtarët izraelitë e kanë konsideruar këtë gjë, si përpjekje nga ana e Polonisë për të shtypur diskutimin rreth vrasjeve të dokumentuara të hebrenjve nga polakët gjatë pushtimit gjerman.

“Polakët kanë bashkëpunuar me nazistët dhe nuk e di nëse dikush ndonjëherë është ndëshkuar për një deklaratë të tillë”, ka thënë Netanayhu para gazetarëve.

Këto deklarata kanë nxitur reagime të ashpra në Varshavë, duke rezultuar me thirrjen e ambasadorit të këtij shteti në Izrael për konsulta.

Zyra e Netanyahut ka thënë se ai është keqinterpretuar dhe keqkuptuar si pasojë e një gabimi në gazetën izraelite.

Qeveria polake ka thënë se një deklaratë e tillë ka qenë e pamjaftueshme dhe ka kërcënuar me tërheqje nga konferenca.

Zyra e Netanyahut më pas ka njoftuar se kryeministri e ka pasur fjalën për “ekstremistët dhe jo popullin apo shtetin polak”.

Mirëpo një deklaratë e tillë vetëm ka shtuar konfliktin.

“Kryeministri i shtetit hebre është duke shitur kujtesën e Holokaustit për një aleancë të dyshimtë me një lider anti-semitik”, ka thënë lideri i partisë opozitare në Izrael, Meretz, Tamar Zandberg.

Megjithatë, samiti në Jerusalem pritet të vazhdojë edhe pa praninë e Morawiecki, meqë ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz pritet ta zëvendësojë atë.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili pritet të jetë pjesëmarrës, është një tjetër lider që ka hyrë në terrenin e ndjeshëm të diskutimit për Luftën e Dytë Botërore.

Ai ka treguar shenja bujarie për liderin hungarez të Luftës së Dytë Botërore, Miklos Horthy, i cili ka prezantuar ligje anti-semitike dhe ka bashkëpunuar me nazistët. Orban po ashtu ka mbështetur një muze të financuar nga shteti, për të cilën ekspertët thonë se ulë rolin e bashkëpunëtorëve hungarezë, si dhe ka përdorur një pamje anti-semitike në një fushatë kundër miliarderit amerikano-hungarez, George Soros.

Kur është kërkuar një përgjigje për këto deklarata, Netanyahu ka thënë:

“Përgjigjja e tij ka qenë shumë direkte, duke thënë ‘ne nuk kemi gatishmëri për ta pranuar këtë’”, ka thënë Netanyahu.

“Ai (Orban) e ka sulmuar Horthyn në një pikë”.

Netanyahu pati krijuar edhe një mikpritje të ngrohtë me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, parlamenti i të cilit sapo ka shpallur ditëlindjen e bashkëpunëtorit të luftës, Stepan Bandera si festë kombëtare.

Forcat e Banderas kanë luftuar së bashku me nazistët dhe janë përfshirë në vrasjen e mijëra hebrenjve.

Ndërkohë në ditën që Poroshenko ka qenë duke vizituar Izraelin, në Kiev është ngritur një pllakë përkujtimore për Symon Petliura, trupat e të cilit janë lidhur me vrasjen e 50,000 hebrenjve pas Luftës së Parë Botërore.

Netanyahu ka thënë se nuk ka qenë në dijeni të kësaj ndodhie, mirëpo ka pasur diskutime me Poroshenkon në rrafsh më të gjerë.

“Unë kam biseduar me të dhe me të gjithë. Ne mund të diskutojmë për këtë çështje dhe në mënyrë të hapur”, pati thënë ai.

Megjithatë, ai ka larguar vëmendjen nga anti-semitizmi bashkëkohor nga “majtistët anarkistë” dhe komunitetet myslimane.

“Mendoj se anti-semitizmi i sotëm në Evropë është duke ndodhur në Evropën Perëndimore. Ajo çfarë po ndodh në Britani është befasuese. Ky është fenomen i ri. Ekziston anti-semitizmi i së djathtës dhe nuk ka ndryshuar. Ka ekzistuar dhe ekziston ende”./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat