Padia gjyqësore: Rikthim në SHBA i gruas së Shtetit Islamik

Bota

Padia gjyqësore: Rikthim në SHBA i gruas së Shtetit Islamik

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 21:26
Hoda Muthanas

Babai i një gruaje të lindur në Amerikë që iu bashkua grupit terrorist Shteti Islamik paraqiti dje një padi gjyqësore ndaj administratës Trump duke kërkuar që të lejohet e bija të kthehet në Shtetet e Bashkuara.

Qendra Ligjore Kushtetuese për Myslimanët e Amerikës (CLCMA) e paraqiti padinë në emër të Ahmed Ali Muthanas, baba i Hoda Muthanas dhe gjysh i foshnjës së saj.

Në një deklaratë të CLCMA-së thuhet se padia “kërkon shpalljen e njohjes së nënshtetësisë së saj dhe ndërmarrjen e përpjekjeve në mirëbesim të Shteteve të Bashkuara për kthimin e saj dhe të të birit në Shtetet e Bashkuara”.

Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo pati thënë se gruaja nuk është shtetase amerikane dhe se asaj nuk duhet t’i lejohet të kthehet nga Siria, pasi babai i saj kishte qenë diplomat i Jemenit në SHBA.

Presidenti Donald Trump tha se pati urdhëruar Sekretarin Pompeo të mos lejonte kthimin e Muthanas në SHBA, megjithëse avokati i saj deklaroi se ajo është e gatshme të përballet me një proces gjyqësor në Shtetet e Bashkuara, duke pranuar se ajo udhëtoi me dëshirë drejt Sirisë dhe se përdori mediat sociale për të lavdëruar vrasjet e perëndimorëve.

Sekretari Pompeo i tha kanalit NBC se “ajo vërtet mund të ketë lindur këtu”, por se “ajo nuk është shtetase amerikane dhe as nuk e ka të drejtën të kërkojë shtetësinë amerikane”.

Sekretari Pompeo tha se gruaja 24-vjeçare, e cila sapo lindi një fëmijë me bashkëshortin e saj të tretë xhihadist, nuk është shtetase amerikane, për shkak të statusit diplomatik që ka patur babai i saj.

Por, avokati i saj u ka thënë mediave amerikane se babai i saj e pati përfunduar shërbimin diplomatik “muaj të tërë”, përpara se ajo të lindte në shtetin amerikan Nju Xhersi, në vitin 1994, duke e bërë atë kështu shtetase amerikane.

Avokati Hassan Shibly i tha kanalit CNN se ajo nuk duhet të ishte larguar nga shtëpia e saj në shtetin amerikan Alabama në vitin 2014, pa dijeninë e prindërve, për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në Siri.

Zoti Shibly tha se sapo kishte mbërritur, ajo ishte mbajtur e mbyllur së bashku me 200 gra të tjera dhe i ishte thënë se nuk do të lirohej nëse nuk martohej me një luftëtar të Shtetit Islamik.

Ajo pati postuar në Twitter një fotografi të saj së bashku me tre gra të tjera, duke djegur pasaporta të vendeve perëndimore, ndër to edhe një pasaportë amerikane.

Ndërsa tani territori i kontrolluar nga ISIS-i po tkurret me shpejtësi, Muthana ka hequr dorë nga ekstremizmi dhe kërkon të rikthehet në atdhe për t’u përballur me akuzat që mund të ngrihen ndaj saj.

Në një letër të dërguar avokatit të saj ajo shprehet se “do të ishte e vështirë të shprehja siç duhet keqardhjen për fjalët që kam thënë në të shkuarën, për çfarëdolloj dhimbjeje që i kam shkaktuar familjes time dhe çfarëdolloj shqetësimi që mund t’i kisha shkaktuar vendit tim”.

Avokati Shibly tha se “ajo është e gatshme të përballet me gjyqësorin tonë”.

Pengesë për këtë është bërë Presidenti Trump.

“E kam udhëzuar Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, dhe ai është plotësisht dakort, të mos lejohet kthimi në vend i Hoda Muthanas!”, shkruajti ai të mërkurën në Twitter.

Në deklaratën e CLCMA-së thuhet se “shtetësia është një e drejtë themeltare në Kushtetutë dhe nëse është e pranuar nuk mund të hiqet arbitrarisht me një mesazh në Twitter, pavarësisht se sa e tmerrshme mund të jetë sjellja e personit në të kaluarën”. Shtetet e Bashkuara japin nështetësinë për çdo person që është “subjekt i juridiksionit” të Shteteve të Bashkuara, duke përjashtuar kështu fëmijët e diplomatëve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat