Negociatat mes të dërguarit amerikan dhe talibanëve vazhdojnë të shtunën

Bota

Negociatat mes të dërguarit amerikan dhe talibanëve vazhdojnë të shtunën

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 11:26
Zalmay Khalilzad.

Talibanët dhe zyrtarët amerikanë, që kanë zhvilluar bisedime në Katar, për të diskutuar mënyra se si t’i japin fund luftës në Afganistan, kanë realizuar edhe bisedime të “zgjeruara” rreth skenareve se si mund të tërhiqen trupat e huaja nga ky shtet, duke garantuar se territori afgan nuk do të shfrytëzohet nga forcat e huaja për të sulmuar shtete tjera, kanë thënë talibanët përmes një deklarate të enjten.

I dërguari amerikan për bisedime të paqes, Zalmay Khalilzad ka thënë përmes një postimi në Twitter se takimet në Doha kanë qenë produktive.

“Ne vazhdojmë që gradualisht, të diskutojmë rreth procesit të paqes”, ka thënë Khalilzad duke shtuar se bisedimet do të vazhdojnë të shtunën.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, ka thënë se pas takimit të së mërkurës, të dyja palët janë pajtuar për të pushuar bisedimet, ashtu që të përgatiten për takimin e radhës.

Dy delegacionet kanë rinisur bisedimet këtë javë, pasi kanë bërë përparim të dukshëm në një proces të negociatave, të mbajtura po ashtu në Doha, në muajin janar.

Derisa Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera kanë thënë se procesi i paqes duhet të udhëhiqet nga afganët, talibanët kanë ripërsëritur këtë javë kundërshtimin e tyre për të bisedime të drejtpërdrejta me presidentin e Afganistanit, Ashraf Ghani, administratën e të cilit e konsiderojnë kukull të përëndimit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se synon të zvogëlojë numrin e trupave në Afganistan. Në fjalimin e tij drejtuar kombit javë më parë, Trump ka thënë se “kombet e mëdha nuk marrin pjësë në luftëra të pafunda”.

Shtetet e Bashkuara kanë intervenuar në Afganistan më 2001, për t’iu ndihmuar forcave opozitare që të largojnë nga pushteti talibanët, të cilët atë kohë patën strehuar miliantët e al-Kaidës, që kanë qenë përgjegjës për sulmin e 11 shtatorit në SHBA.

Vitin e kaluar, 4,000 civilë janë vrarë në konflikt, duke përfshirë një numër rekord të fëmijëve, duke e kthyer 2018-ën në vitin më të përgjakshëm për civilët afganë prej kur SHBA-ja ka filluar të dokumentojë numrin e viktimave një vit më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat