Kanadaja miraton ekstradimin e shefes së Huaweit në SHBA, Kina reagon ashpër

Bota

Kanadaja miraton ekstradimin e shefes së Huaweit në SHBA, Kina reagon ashpër

Më: 2 mars 2019 Në ora: 08:23
Meng Wanzhou

Kanadaja i ka miratuar procedurat e ekstradimit të shefes financiare të kompanisë kineze “Huawei Technologies” në Shtetet e Bashkuara, duke ngjallur reagimin e rreptë të Kinës.

Meng Wanzhou, vajza e themeluesit të kësaj kompanie, ishte arrestuar në Vancouver në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak. Në fund të janarit, organet e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngritën akuzë kundër saj dhe kompanisë “Huawei” për shkelje të sanksioneve amerikane kundër Iranit.

Ajo do të paraqitet në gjykatë në Vancouver më 6 mars. Pritet që në këtë seancë gjyqësore të publikohet data e vendimit për ekstradimin e saj.

Ndaj kësaj mase ligjore ka reaguar Kina. Ky shtet e ka dënuar vendimin për ekstradimin e qytetares së vet në Shtetet e Bashkuara, duke e përsëritur kërkesën për lirimin e saj. Ky rast ka ndikuar që marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Kinës të tensionohen dukshëm.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Lu Kang, tha përmes një deklarate se Kina e kundërshton të ashtuquajturin proces gjyqësor kundër shefes financiare të kompanisë “Huawei”. “Ky është një incident i rëndë politik. Edhe një herë i bëjmë thirrje SHBA-së që ta tërheqë kërkesën për arrestim dhe ekstradim dhe kërkojmë nga Kanadaja që ta lirojë menjëherë zonjushën Wanzhou”, ka thënë ai.

Ekspertët ligjorë që më parë kishin parashikuar se Kanadaja do ta pranojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e qytetares kineze për shkak të marrëdhënieve të ngushta mes dy shteteve në sistemin e drejtësisë, shkruan “The Guardian”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat