Rritja e temperaturave në oqeane ka zvogëluar për 5 për qind numrin e peshqve

Bota

Rritja e temperaturave në oqeane ka zvogëluar për 5 për qind numrin e peshqve

Më: 2 mars 2019 Në ora: 20:30
Foto

Numri i peshqve që janë zënë nga peshkatarët nëpër oqeane ka rënë për rreth 5 për qind. Besohet që kjo rënie është ndikuar nga rritja e temperaturave në oqeane.

Sipas një analize të re, disa lloje të peshqve janë duke i vuajtur pasojat e ndryshimeve klimatike në tërë botën. Rënia e numrit të peshqve është vërejtur më shumë rë rajonet ku peshkataria është veprimtari thelbësore, përfshirë Detin Lindor dhe Detin Verior të Kinës, ku humbjet për shkak të klimës kanë qenë rreth 35 për qind.

Kjo rënie është shkaktuar edhe nga aktiviteti i tepruar i peshkatarëve, ndërsa vlerësohet se do të ketë ndikim në jetën e 56 milionë njerëzve, mirëqenia dhe mbijetesa e të cilëve varet nga tregtia me peshq.

Përderisa parashikohet që rritja e temperaturave në oqeane do të ketë pasoja shkatërruese për ekosistemet ujore në të ardhmen, zbulimet e reja janë shenjë që tregon se ndryshimi klimatik tashmë është realitet.

Për ta realizuar këtë studim, shkencëtarët i analizuan të dhënat e peshkimit për sasitë maksimale të peshqve nga viti 1930. Këtu u përfshinë 235 popullata nga 124 lloje të gjallesave detare, ndërsa më pas numri i tyre u krahasua me nivelin e ndryshimeve klimatike përgjatë dekadave.

Nëse qeveritë e shteteve nuk marrin veprime konkrete për ta zvogëluar sasinë e gazrave, temperatura e ujit të oqeaneve pritet të rritet për 3.2 gradë deri në fund të këtij shekulli, shkruan “Independent”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat