Hendeku gjinor vazhdon në punësim e paga

Bota

Hendeku gjinor vazhdon në punësim e paga

Më: 7 mars 2019 Në ora: 22:16
Foto ilustrim

Organizata Ndërkombëtare e Punës thotë se vazhdon të ekzistojë një hendek i madh gjinor në pjesëmarrjen në forcën e punës dhe në paga. Organizata thotë se kjo situatë mund të përmirësohet vetëm nëse miratohen dhe vihen në zbatim politika të forta.

Agjencia me seli në Gjenevë ka nxjerrë një raport të ri të titulluar Një Hap Kuantik për Barazinë Gjinore: Në Emër të një të Ardhmeje më të Mirë për të Gjithë. Raporti u publikua në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Organizata Ndërkombëtare e Punës vëren në raport se në krahasim me burrat, gratë hasin më shumë probleme për të gjetur punë dhe se kjo situatë nuk ka shënuar përparim të ndjeshëm në 27 vitet e fundit. Sipas raportit, ritmet e punësimit të grave janë 26% më të ulëta se të burrave.

Sipas raportit, ky hendek vërehet edhe tek pëqindjet e grave në nivelet e larta drejtuese. Të dhënat e organizatës tregojnë se në shkallë globale, vetëm gratë zënë vetëm 1/4 e posteve menaxhuese apo drejtuese. Sipas raportit, gratë që arrijnë të avancojnë janë pak më të reja dhe të arsimuara më mirë se kolegët e tyre meshkuj që arrijnë të njëjtat rangje drejtuese.

Megjithë këto cilësi, autorët e studimit thonë se gratë nuk marrin të njëjtën rrogë për të njëjtën punë që bëjnë burrat. Në shkallë globale, sipas studimit, vazhdon të ekzistojë një hendek prej mesatarisht 20% në paga.

Shauna Olney është shefe e departamentit për Gjininë, Barazinë dhe Diversitetin në Organizatën Ndërkombëtare të Punës. Ajo thotë se nënat me fëmijë të vegjël nën moshën 6 vjeç kanë shanset më të ulëta për punësim.

“Është rritur 38% ndëshkimi për nënat në punësim gjatë 10 vjetëve të fundit. Gjërat nuk janë mirë. Ky ndëshkim vërehet edhe në nivelet udhëheqëse ku vetëm 25% e menaxherëve me fëmijë të vegjël janë gra. Gratë e të njëjtës grupmoshë, por pa fëmijë përfaqësojnë 31% të menaxherëve,” thotë zonja Olney.

Ajo thotë për Zërin e Amerikës se ekziston tendenca për të nënvlerësuar rolin e gruas në role udhëheqëse. Gratë, për shembull, vlerësohen për të ashtu-quajturat cilësi të buta, si ngrohtësia në komunikim, apo marrëdhëniet e mira me njerëzit.

“Fakti që i cilësojmë gratë të buta tregon se i nënvlerësojmë. Nuk i shohim cilësitë e tyre si të rëndësishme, si me vlerë serioze. Si rezultat, nuk i shohim si me vlerë për pagë më të lartë. Pra, ekzistojnë shumë paragjykime dhe ka prova të qarta se ka dallim në mënyrën si vlerësojmë burrat dhe gratë”.

Raporti thekson nevojën për të miratuar një numër masash që thotë se përshpejtojnë ritmet drejt një shoqërie më të barabartë gjinore. Ndër masat e propozuara: ligje dhe politika më të forta për të penguar diskriminimin gjinor në vendin e punës dhe për të nxitur trajtimin e barabartë dhe mundësitë e barabarta. Raporti rekomandon mbështetjen e grave përmes transferimeve në pozita ku kanë më shumë mundësi për vendim-marrje dhe përfaqësim në politikat e personelit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat