Sulmohet ministri në Zelandën e Re

Bota

Sulmohet ministri në Zelandën e Re

Më: 15 mars 2019 Në ora: 14:47
James Shaw

Policia në Zelandën e Re ka arrestuar një 47-vjeçar, i cili qëlloi me grusht në fytyrë ministrin për Ndryshimin Klimatik. Sipas dëshmitarëve, agresori hodhi parulla kundër Kombeve të Bashkuara.

Ministri për Ndryshimin Klimatik në Zelandën e Re, James Shaw, është qëlluar me grusht në fytyrë, pa një arsye të qartë, teksa shkonte në parlament në këmbë, në kryeqytetin Wellington.

Sulmi, i ndodhur një ditë më parë, tronditi vendin, para se në orët e para të së premtes të ndodhte masakra në dy xhamitë e Christchurch, i konsideruar si një oazë e qetë ku mbretëronte qetësia dhe siguria.

Kabineti i ministrit, i cili është një lider i të gjelbërve vendorë, e cilësoi si një sulm jo të provokuar dhe jo me karakter politik. Ministri i Tregtisë, David Parker, tha për gazetarët se agresori hodhi parulla kundër Kombeve të Bashkuara.

Shaw, partia e të cilit është pjesë e koalicionit të drejtuar nga kryeministrja laburiste Jacinda Ardern, mëngjesin e të premtes u prezantua me një sy të nxirë në manifestimin e studentëve për mbrojtjen e klimës.

Para gazetarëve, ai u shpreh se syri dukej më keq se ç’ishte në të vërtetë, ndërkohë që policia konfirmoi arrestimin e një 47-vjeçari për sulmin. Dhuna politike është një fenomen i panjohur në Zelandën e Re, ku pjesa më e madhe e ministrave të vendit me 4.5 milionë banorë, udhëton pa asnjë lloj mbrojtjeje.

Kryeministrja Ardern u shpreh se në vendin e saj njerëzit mund t’u afrohen politikanëve në rrugë dhe të flasin dhe për këtë ndihej krenare. Ndërsa kryebashkiaku i kryeqytetit e cilësoi ngjarjen si të turpshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat