Kush janë viktimat e sulmit terrorist në Zelandën e Re

Bota

Kush janë viktimat e sulmit terrorist në Zelandën e Re

Më: 16 mars 2019 Në ora: 09:55
Foto ilustrim

Autoritetet e Zelandës së Re kanë konfirmuar se 49 persona janë vrarë në sulmin masiv në Christchurch. Zyrtarët i kanë filluar përpjekjet për identifikimin e të gjitha viktimave.

Ajo që dihet është se personat e vrarë kishin ardhur nga vendet e ndryshme në Zelandën e Re. Shumë prej tyre ishin refugjatë që menduan se e kanë gjetur sigurinë në këtë shtet.

Shumë familje që ende nuk kanë kontaktuar me më të dashurit e tyre janë duke pritur në ankth për ndonjë lajm. Këta janë disa prej personave që janë raportuar të vdekur ose të zhdukur.

Daoub Nabi, 71-vjeçar

Daoud Nabi është një nga viktimat e para që është identifikuar nga autoritetet. Ai është lindur në Afganistan, por ishte vendosur në Zelandën e Re me familjen e tij në vitet e tetëdhjeta për t’i ikur pushtimit sovjetik.

Besohet që ai ka dalë para sulmuesit për t’i mbrojtur personat tjerë. Ai ka qenë inxhinier, ndërsa pas pensionimit ka shërbyer si kryetar i një shoqate lokale. Nabi ka qenë i njohur nga rrethi për përkrahjen që ua ofronte grupeve tjera të imigrantëve.

Sayyad Milne, 14-vjeçar

Sayaad Milne dëshironte të bëhej futbollist kur të rritej. Ai kishte shkuar në xhami me nënën e tij. Babai i djaloshit ka thënë se zyrtarisht nuk ka marrë lajm për vdekjen e tij, por se atë e kanë parë njerëzit. “E di ku është ai. E di që është në parajsë”, tha babai i tij.

Mucad Ibrahim, 3-vjeçar

Familja e djaloshit 3-vjeçar kanë thënë se nuk e kanë parë atë që nga koha e sulmit. Ata nuk e kanë gjetur fëmijën e tyre as në spitalet ku po trajtohen të plagosurit. Vëllai i tij ka thënë se familja beson që Mucadi është vrarë.

Policia ka konfirmuar se të paktën një fëmijë është vrarë dhe shumë të tjerë janë lënduar. Organet e drejtësisë nuk i kanë publikuar zyrtarisht emrat e tyre.

Raportohet se personat e zhdukur janë me prejardhje nga Jordania, India, Pakistani, Bangladeshi, Afganistani dhe Arabia Saudite, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat