Zelandë e Re, reformë e ligjeve për armët

Bota

Zelandë e Re, reformë e ligjeve për armët

Më: 18 mars 2019 Në ora: 17:05
Jacinda Ardern

Kryeministrja e Zelandës së Re njoftoi të hënën se kabineti që ajo drejton ka marrë disa vendime lidhur me reformën në ligjet për armët, pas masakrës të së premtes në dy xhami në qytetin e Christchurch-it. Autoritetet kanë arrestuar një person të vetëm si përgjegjës për ngjarjen ku si pasojë u vranë 50 persona.

Kryeministrja Jacinda Ardern tha se duhet ende të përpunohen detajet, por sipas saj ndryshimet në ligjet që lidhen me armët e zjarrit do të bëhen publike në mënyrë të plotë brenda 10 ditëve.

"Mendoj se ajo që publiku pyet me të drejtë tani ka të bëjë me atë se si duhet t’i jepet fund mundësisë për të blerë armë ushtarake gjysmë automatike në Zelandën e Re. Kjo është një pyetje e drejtë për t’u ngritur", tha ajo.

Autoritetet kanë akuzuar 28-vjeçarin Brenton Harris Tarrant, shtetas australian si autor të dyshuar të sulmit të tmerrshëm që la pas 50 të vrarë. Ai është i vetmi person që ndodhet në paraburgim lidhur me këtë ngjarje dhe është akuzuar për vrasje.

"Kemi folur më parë lidhur me këtë gjë, por dua të theksoj në mënyrë të qartë se besojmë se ka pasur vetëm një sulmues përgjegjës për këtë ngjarje të tmerrshme.Siç e dini ka patur dy vendngjarje, por dua të theksoj se besojmë absolutisht se përgjegjes ka qenë një person i vetëm. Kjo nuk do të thotë se nuk ka mundësi që persona të tjerë ta kenë mbështetur, kjo gjë vazhdon të jetë një pjesë shumë e shumë e rëndësishme e hetimit tonë", thotë Mike Bush, shef i Policisë së Zelandës së Re.

Brenton Harris Tarrant nuk e ka pranuar fajin lidhur me ngjarjen. Ai pritet të dalë sërish përpara gjykatës në 5 prill. Sipas disa njoftimeve në shtyp ai nuk do të ketë avokat por do të vetëpërfaqësohet gjatë procesit gjyqësor në ngarkim të tij.

Banorët e Christchurch-it vendosën lule dhe objekte të tjera në një memorial të improvizuar në kujtim të viktimave. Ndërkohë në një llogari të hapur në internet për viktimat brenda një dite të vetme u mblodhën 684 mijë dollarë.

Studentët e shkollës së mesme të Christchurch-it nderuan viktimat të hënën me një valle që kërcehet gjatë ceremonive mortore nga popullsia indigjene e Zelandës së Re, Maori.

Kryeministrja Ardern tha se trupat e të 50 viktimave të vrarë në të dy xhamitë do t’u kthehen familjeve të tyre brenda ditës së mërkurë në mënyrë që ata të mund të varrosen sipas traditës myslimane. Sipas saj gjashtë ekspertë të identifikimit të viktimave në rast fatkeqësish kanë ardhur nga Australia për të ndihmuar në procesin e identifikimit të trupave.

Të shtënat masive dhe krimet e dhunshme janë të rralla në Zelandën e Re, një vend me një popullësi prej rreth 5 milionë banorësh. Deri të premten, ngjarja më e rëndë konsiderohej ajo e vitit 1990, kur një person i armatosur vrau 13 persona në qytetin e vogël të Aramoanas./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat