Bavari, lihet në fuqi ndalimi i shamive të kokës për gjykatëse e prokurore

Bota

Bavari, lihet në fuqi ndalimi i shamive të kokës për gjykatëse e prokurore

Më: 19 mars 2019 Në ora: 14:30
Foto

Gjykata Kushtetuese e Bavarisë ka konfirmuar ligjshmërinë e ndalimit nga landi, që gjykatëset e prokuroret të mbajnë shami koke. Ajo bëri të ditur më tej se, prania e kryqeve në sallat e gjyqit është një çështje tjetër.

Kushtetuesja hodhi poshtë Komunitetin fetar Islamik, për ta tërhequr ndalimin e mbajtjes së shamisë, me argumentin se njerëzit e drejtësisë janë të detyruar që të jenë neutralë në çështjet e fesë dhe të ideologjisë.

Gjykata shprehu opinionin se ndalimi, i cili gjithashtu i ndalon zyrtarët të mbajnë simbole fetare si kryqet ose kipën gjatë seancave gjyqësore, nuk drejtohet kundër ligjeve të lirisë dhe barazisë fetare.

Grupi islamik pati argumentuar se ndalimi i shkel të dyja ligjet, meqenëse simboli i krishterë i kryqit qëndron i varur në sallat bavareze të gjykatave. Këtë argument, gjykata nuk e pranoi. Ajo iu përmbajt qëndrimit se, prania e kryqeve është një çështje tjetër, meqenëse për të vendos administrata e gjykatave dhe ajo nuk hedh dyshim për neutralitetin e gjykatësve dhe prokurorëve si individë.

Gjykata shpalli më tej se ndalimi nuk i diskriminon gratë, sepse janë të ndaluara edhe objekte të tjera me përmbajtje fetare, të cilat i mbajnë burrat. Kritikët e shamisë së kokës e shohin atë si simbol të shtypjes së grave myslimane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat