Raporti i Muellerit, asnjë reagim nga Moska

Bota

Raporti i Muellerit, asnjë reagim nga Moska

Më: 24 mars 2019 Në ora: 13:56
Prokurori i Posaçëm Robert Mueller

Ishte mbrëmje e së shtunës në Moskë dhe pothuajse 24 orë nga njoftimi se Prokurori i Posaçëm Robert Mueller kishte dorëzuar raportin e tij të shumëpritur në Departamentin e Drejtësisë. Por si Kremlini ashtu edhe Ministria e Jashtme e vendit ishin të qeta.

Ndërsa asnjë detaj i hetimit nuk u bë publik, një koment i vetëm nga një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë mund të shihet në Moskë si një fitore paraprake që zoti Mueller dhe ekipi i tij nuk rekomanduan ngritjen e akuzave të mëtejshme.

Për muaj me radhë zyrtarët rusë kanë mohuar çdo ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, pavarësisht dhjetëra akuzave të ngritura nga prokurori Mueller dhe ekipi i tij kundër 25 shtetasve rusë, kryesisht oficerë ushtarakë dhe agjentë, lidhur me rolin e tyre në ndërhyrjet e dyshuara gjatë fushatën presidenciale të vitit 2016.

Disa persona që “Zëri i Amerikës” intervistoi në rrugët e Moskës dukej se nuk ishin të interesuar për prokurorin Mueller dhe punën e tij.

Disa, të cilët ishin njohur me hetimin që ai kishte udhëhequr, përkrahën qëndrimin e qeverisë së tyre, duke mohuar ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet e SHBA-së apo ndonjë aktivitet tjetër të dëmshëm jashtë vendit.

"Nuk kishim nevojë për ndonjë ndërhyrje të tillë dhe nuk ndodhi kurrë", tha një qytetar i Moskës që nuk pranoi të paidentifikohet për “Zërin e Amerikës”.

"Rusia nuk kishte as dëshirë, as burime për të ndikuar në vullnetin e popullit amerikan", përsëriti një tjetër.

Ekspertët e pavarur rusë nuk janë të befasuar nga një reagim i tillë nga bashkatdhetarët.

"Shumica do t’ju thonë se ju duhet të mohoni gjithçka. Ne jemi në gjendje lufte për sa i takon informacionit dhe kjo është taktika e duhur", thotë Denis Volkov i qendrës Levada, një organizatë e pavarur ruse që kryen anketime.

Denis Volkovi ka studiuar opinionin publik në Rusi për më shumë se 10 vjet. Ai thotë se zakonisht, në fillim të sondazheve, rusët shmangin t'u përgjigjen pyetjeve rreth sjelljes keqdashëse të Moskës jashtë vendit, duke thënë vetëm se "mund të ketë qenë kushdo".

“Është sikurse atëherë kur ne (rusët) refuzonim idenë se trupat ruse ishin në Krime derisa zoti Putin të thoshte: "Po, janë ushtarët tanë. Por më parë, ai e mohonte këtë gjë", kujton analisti Volkov.

Ekspertët besojnë se shumë rusë kanë prirjen të pranojnë interpretimin e qeverisë për ngjarjet botërore për shkak të disa grindjeve socio-historike për lavdinë e humbur.

Konflikti në vazhdim mes Moskës dhe Perëndimit gjithashtu nuk ndihmon.

"Do të thosha se është pothuajse një lloj zilie ndaj një vendi që është i pari. Për shkak se kohët e fundit kishte një barazi dhe 30 vjet më parë përfundoi e gjitha", thotë analisti Volkov.

Kreu i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare të Rusisë Andrey Kortunov nuk pajtohet me Denis Volkovin. Duke iu bashkuar qëndrimit të qeverisë për çështje të tilla, sot rusët thjesht kërkojnë afirmimin e vendit të tyre të ri në botë.

"Mendoj për një rus të nivelit mesatar është një mekanizëm për tërheqjen e vëmendjes amerikane. Rusi do të thotë diçka dhe nuk mund ta shpërfillësh", thotë analisti Kortunov.

Por studimet tregojnë se rusët nuk janë të vetmit njerëz që pranojnë pozitën e përgjithshme si të vërtetën përfundimtare.

Në një sërë anketash të koordinuara të kryera nga Këshilli i Çikagos mbi Çështjet Globale dhe Qendra Levada në Moskë, sociologët u bënë amerikanëve dhe rusëve një sërë pyetjesh mbi politikën e jashtme. Rezultatet i kanë befasuar disi.

"Përgjigjet ishin imazhe pasqyruese të njëri-tjetrit. Rusët thanë: "Nuk jemi ne, janë ata që ndërhyjnë në punët tona. E kundërta ishte e vërtetë për amerikanët... ", thotë Denis Volkov./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat