Reagime të ndryshme pas vendimit për Lartësitë Golan

Bota

Reagime të ndryshme pas vendimit për Lartësitë Golan

Më: 28 mars 2019 Në ora: 16:15
Lartësitë Golan

Reagimet lidhur me vendimin e fundit të Shteteve të Bashkuara për të njohur sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë Golan, kanë qenë të ndryshme. Disa thonë se vendimi shkakton tension mes Izraelit dhe fqinjëve arabë, ndërsa të tjerë pohojnë se ai nuk ndryshon realitetin në terren.

Shtetet e Bashkuara janë vendi i parë që njeh Golanin si territor izraelit. Pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare e konsideron atë të pushtuar nga Izraeli. Presidenti Donald Trump tha se mbajtja e Lartësive të Golanit nën kontrollin izraelit "është e një rëndësie kritike strategjike dhe të sigurisë për shtetin e Izraelit dhe stabilitetin rajonal".

Lartësitë Golan iu morën Sirisë në Luftën Gjashtë Ditore në vitin 1967, dhe Izraeli e ka kontrolluar rajonin strategjik qysh atëherë.

"Vendimi amerikan krijon një precedent të rrezikshëm", thotë Ahmed Rahal, ish gjeneral i ushtrisë siriane i cili aktualisht është një analist ushtarak me seli në Stamboll.

"Kjo nuk është vetëm e rrezikshme në kontekstin e konfliktit arabo-izraelit, por edhe në kontekstin global", tha zoti Rahal për Zërin e Amerikës. "Vende të tjera do të jenë më të prirura për të sulmuar fqinjët e tyre, të aneksojnë territoret e tyre dhe të pretendojnë vazhdimisht sovranitetin e tyre mbi to, duke përdorur argumentin se ‘Amerika e ka legjitimuar këtë sjellje’ në rastin e Golanit", shton ai.

Analistë të tjerë, megjithatë, besojnë se lëvizja e Shteteve të Bashkuara nuk ndryshon asgjë në terren, sepse Izraeli i ka kontrolluar Lartësitë Golan për më shumë se katër dekada.

"Nuk mendoj se kjo do të ketë një ndikim të madh në sigurinë rajonale," thotë Jonathan Spyer, një bashkëpunëtor hulumtues në Institutin për Studime Strategjike në Jeruzalem. "Kontrolli de facto i Izraelit mbi Golanin nuk është në dyshim dhe nuk ka gjasë në një të ardhme të afërt për ndonjë përpjekje serioze nga ndonjë forcë për të ndryshuar këtë situatë", shton ai.

Disa ekspertë izraelitë thonë se ky rajon i pasur në burime ka qenë me rëndësi strategjike për Izraelin dhe ka shërbyer si mbrojtje kundër armiqve izraelitë në rajon.

"Lartësitë Golan janë shumë të rëndësishme për ne nga ana e sigurisë", thotë Yaakov Amidror, ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Izrael. "Është një element shumë i rëndësishëm në aftësinë tonë për të mbrojtur Izraelin. Pa e patur ne Golanin, Hezbollahu, milicitë iraniane dhe shiite në Siri mund të përfundonin pranë Detit të Galilesë" i tha Zërit të Amerikës në një intervistë telefonike zoti Amidror, i cili gjithashtu ka shërbyer si oficer ushtarak në Golan.

Ai shtoi se përpara se forcat izraelite të merrnin kontrollin e rajonit", Lartësitë Golan u përdorën nga sirianët për të bombarduar vendbanimet izraelite".

Pretendimi i Sirisë

Disa ekspertë besojnë se çështja e Golanit do të bëhet e rëndësishme kur të arrihet një zgjidhje politike në Siri dhe vendi të dalë nga lufta.

"Kur në pushtet në Siri të vijë një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike, ajo mund të kërkojë të rimarrë Golanin nga Izraeli," thotë analisti Rahal. "Atëherë ka të ngjarë të dalë në pah një konflikt i mundshëm ligjor, politik dhe ndoshta ushtarak mes Izraelit dhe Sirisë".

Ish këshilltari izraelit për sigurinë kombëtare Amidror nuk është dakord me këtë vlerësim. "Një ndryshim i regjimit në Damask do të paraqiste një shans për Izraelin që të arrijë një marrëveshje me një qeveri të re siriane mbi Lartësitë Golan," tha ai.

"Nëse ka një ndryshim regjimi në Siri, dialogu do të ishte shumë më i lehtë," thotë analysti Amidror.

Lartësitë Golan janë kryesisht të populluara me druzët, një pakicë që flet gjuhën arabe, shumë prej të cilëve kanë ende të afërm në anën siriane të kufirit.

Protestat

Banorët në fshatin Majdal Shams organizuan një protestë këtë javë për të hedhur poshtë vendimin e presidentit Trump, duke brohoritur se ‘Golani është sirian’ ndërsa valëvisnin flamuj sirianë dhe druzë.

"Ne e denoncojmë vendimin e presidentit Trump për dhurimin e Golanit tonë tek Izraeli. Golani nuk është pronë e Trumpit apo e Izraelit. Ky është një territor sirian dhe gjithmonë do të jetë pjesë e Sirisë", tha Sheik Mahmoud Nazeeh, një udhëheqës druz, për televizionin shtetëror sirian të mërkurën.

Por duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme në Siri, shumë banorë druzë në Lartësitë Golan duket se e mbështesin ruajtjen e status quo-së në rajonin e tyre.

"Askush nuk mund ta ndryshojë realitetin këtu," tha Faiz Zahraddine, një banor 40-vjeçar i Ein Qiniya, një fshat në Lartësitë Golan. "Ne kemi jetuar nën sundimin e Izraelit për dekada të tëra. Ne kemi krijuar jetën dhe karrierën tonë këtu. Shumë njerëz nuk duan që kjo të ndryshojë, "shtoi ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat