Ndotja plastike vazhdon të përkeqësohet

Bota

Ndotja plastike vazhdon të përkeqësohet

Më: 30 mars 2019 Në ora: 20:35
Foto ilustrim

Ndërsa ndotja plastike vazhdon të përkeqësohet, shumë njerëz dhe shtete po përpiqen ta luftojnë këtë problem. Siç na njeh korrespondenti i Zërit të Amerikës Kevin Enochs, nga Afrika deri tek Amerika e Jugut, përpjekjet e brendshme për mbledhjen e mbetjeve plastike kanë një ndikim të vogël por që po vazhdon të rritet.

Në shtetin afrikan të Gabonit vullnetarët mblidhen çdo dy javë për të pastruar plazhet e kryeqytetit Liberville. Rrjeti për Mjedisin dhe Zhvillimin është një grup bamirësie me 300 pjestarë që duan të tjetërsojnë plazhet e tyre në destinacione turistike. Edou Haff punon për Rrjetin Gabonez për Mjedisin dhe Zhvillimin.

“Ka shumë vullnetarë dhe të gjithë punojmë sëbashku pa pagesë. Jemi organizatë joqeveritare dhe nuk kemi metoda të tjera. Kur na ofrohet mundësia për të paguar, u japim të paktën 170 dollarë, duke organizuar pak konkurencë për të motivuar ata që nuk janë të sigurtë” , thotë ai.

Aktualisht mbetjet dërgohen tek një vend për hedhje plehrash por Edou Haff thotë se po punon për riciklimin e mbeturinave dhe jo vetëm pastrimin e plazheve:

“Punojmë me kompanitë e mbledhjes së mbeturinave dhe tani duam të përqendrohemi tek riciklimi i plastikës, çfarë edhe paraqet një mundësi për ne. Po kërkojmë partnerë që brenda 2-3 muajsh të fillojmë riciklimin e plastikës.”

Mbetjet plastike kanë mbërritur deri në ishujt e pabanuar Galapagos pranë Ekuadorit. Mes pelikanëve dhe luanëve të detit, vullnetarët shkojnë nëpër ishuj për të mbledhur një pjesë nga rreth 2 milion tonë mbeturina të hedhura në oqean çdo vit. Sharlyn Zuniga është studente vullnetare.

“Kaq shumë mbeturina janë hedhur në detra sa kanë mbërritur në brigje të pabanuara nga njerëzit. Trishtohesh kur shikon kafshë të ngordhura si pasojë e mbeturinave apo foletë e zogjve të përzjera me mbeturina” , thotë zoti Haff.

Në Nigeri, kompania e quajtur ‘WeCyclers’ po përpiqet që lëndët plastike të mos arrijnë kurrë në oqean. Kompania i mbledh mbetjet plastike nga banorët në Lagos në shkëmbim të pikëve që mund të tjetërsohen në para, ushqime apo sende shtëpiake. Është një treg në rritje. Bilikiss Adebiyi-Abiola është me kompaninë ‘WeCyclers’:

“Me rritjen e popullsisë shtohen edhe nevojat për përdorimin e sendeve plastike. Kompania jonë ‘Wecyclers’ shpreson që një ditë të kemi një ekonomi të tillë ku lëndët plastike të riciklohen dhe ripërdoren për të krijuar paketime të reja.”

Sipas përllogaritjeve çdo vit në botë prodhohen rreth 300 milion tonë lëndë plastike, një problem me të cilin njerëzimi do të përballet për mijëra vite por që këta vullnetarë po përpiqen ta lehtësojnë me aq mundësi që kanë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat