Rusia dhe Afganistani do të dominojnë diskutimet e samitit të NATO-s

Bota

Rusia dhe Afganistani do të dominojnë diskutimet e samitit të NATO-s

Më: 3 prill 2019 Në ora: 14:25
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, do të fillojnë takimin dy ditor në Uashington, për të shënuar 70 vjetorin e formimit të Aleancës si dhe për të diskutuar kërcënimet e sigurisë përfshirë Rusinë dhe Afganistanin.

Para se të fillojë shënimi i 70 vjetorit, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump takoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe i kërkoi atij që vendet anëtare të paguajnë më shumë për mbrojtje.

"Shtetet e Bashkuara paguajnë një pjesë joproporcionale për NATO-n në krahasim me vendet tjera" tha Trump, duke shtuar se "SHBA-të vetëm duan drejtësi".

Trump u ka bërë thirrje aleatëve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në nivelin e rënë dakord prej 2 përqind të bruto produktit të brendshëm. Ai tha gjatë takimit të tij me Stoltenberg se shumica e shteteve janë jashtë këtij objektivi, edhe pse ai përmendi përparimin.

Stoltenberg do t'i drejtohet të mërkurën Kongresit amerikan. Kjo është hera e parë që një Sekretar i NATO-s iu drejtohet ligjvënësve amerikanë.

Më 4 prill, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, do të mbajnë takim në Departamentin e Shtetit, ku do të diskutojnë për Rusinë.

Ata pritet të fuqizojnë masat në Detin e Zi për të siguruar mbrojtje më të mirë të rajonit.

Në agjendë do të jenë gjithashtu edhe situata në Afganistan si dhe rënia e traktatit bërthamor të cilin SHBA-ja dhe Rusia e nënshkruan në përfundim të Luftës së Ftohtë.

Planet e Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes raketore poashtu do të jetë në fokus të diskutimeve ndërmjet vendeve anëtare të NATO-s.

Një zyrtar i lartë amerikan duke folur në kushte anonimiteti tha se aleati i NATO-s, Turqia, mbetet një partner i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara, por theksoi se planet e Ankarasë për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore, paraqesin shqetësim. “Marrëdhëniet tona nuk përcaktohen nga vetëm kjo çështje, por megjithatë ajo paraqet shqetësim të madh”, deklaroi zyrtari amerikan./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat