OKB: Mijëra të zhvendosur nga luftimet në Libi

Bota

OKB: Mijëra të zhvendosur nga luftimet në Libi

Më: 12 prill 2019 Në ora: 14:42
Libi

Mbi 8,000 njerëz kanë ikur nga luftimet përreth kryeqytetit të Libisë, Tripoli, bënë të ditur Kombet e Bashkuara.

"Zhvendosjet nga zonat e përleshjeve në dhe përreth Tripolit po vazhdojnë", tha zëdhënësi i OKB-së, Rheal Leblanc, për gazetarët në Gjenevë.

Përveç të të zhvendosurve, Leblanc tha se "shumë familje mbeten të bllokuara në zonat e prekura nga konflikti".

Javën e kaluar, komandanti ushtarak, Khalifa Haftar, ka nisur një ofensivë për marrjen e kontrollit të Tripolit nga Qeveria e kryeministrit Fayez al-Serraj, e cila mbështetet nga OKB-ja.

Kjo qeveri e unitetit e kontrollon kryeqytetin, por autoriteti i saj nuk njihet nga një administratë paralele në lindje të Libisë.

Gjenerali Haftar është aleat i qeverisë rivale në qytetin lindor Tobruk.

Kryeministri Al-Serraj e akuzoi atë për përpjekje për grushtshtet dhe tha se ushtarët e tij rebelë do të përballen me forcën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se dhjetëra njerëz janë vrarë dhe mbi 300 janë plagosur në luftime.

Libia është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria politike prejse sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat