Mediumi propagandues i Putinit bën thirrje për liri të shprehjes

Bota

Mediumi propagandues i Putinit bën thirrje për liri të shprehjes

Më: 13 prill 2019 Në ora: 14:44
Vladimir Putin

Mediumi rus kërkon liri të fjalës për Assange, e nuk flet për faktin se gazetarët vriten në Rusi.

Makina e propagandës ruse, e afërt me pushtetin e Vladimir Putinit, “Russia Today”, ka dy ditë që po publikon lajme të shumta se arrestimi i Julian Assange është sulm për lirinë e shprehjes dhe gazetarinë.

Ky medium gjithashtu ka publikuar lajme të titulluara se nëse ne e humbasim WikiLeaks-in, e humbasim lirinë e shprehjes.

Por pyetja është se për cilën liri flet “Russia Today”?

Madje për këtë ka reaguar edhe Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit Amerikan. Reagimi i komitetit vjen pas shkrimit të Dan Cohenit se në SHBA demokratët po gëzohen që Trumpi i ka shpallur luftë lirisë së shtypit. Komiteti për Punë të Jashtme tha në reagim se Amerika nuk “mbron kriminelët që informacionet e vjedhura i përdorin si armë”.

“Amendamenti i parë e mbron lirinë e shprehjes, madje edhe për propagandën ruse, për të cilën ti punon. Nuk i mbron kriminelët që informacionet e vjedhura i përdorin si armë”, shkroi në Twitter Komiteti për Punë të Jashtme.

Por cila është e vërteta e lirisë së shprehjes, liri të cilën po e kërkon mediumi rus?

Në vazhdim gjeni një listë të gazetarëve të vrarë rusë, rastet e të cilëve “Russia Today” nuk i cilëson si luftë kundër fjalës së lirë.

Arkady Babchenko, i njohur si kritik i madh i Kremlinit, u gjet i vdekur më 29 mars të vitit 2018 në Kiev të Ukrainës, ku edhe kishte kërkuar azil politik. Ai u vra në shtëpinë e tij dhe vdekja e tij erdhi pasi vetë Kremlini e paralajmëroi atë se qeveria ruse ishte nervozuar me të për shkak të qasjes së tij kundër Putinit.

Anna Politkovskaya, gazetare e gazetës “Novaya”, ishte e njohur si kritike e luftës në Çeçeni. Ajo u vra në apartamentin e saj në vitin 2006. Detyra e saj ishte të raportonte mbi zhvillimet e luftës, ku ndër tjera, shkroi kronika se si civilët po vriteshin dhe po torturoheshin nga ushtria ruse.

Mikhail Beketov pësoi dëmtime të rënda në tru dhe e humbi njërën këmbë në vitin 2008. Ai vdiq pesë vjet pas sulmit brutal ndaj tij. Ai raportoi për një skandal korrupsioni, ku kishte zbuluar që për ndërtimin e një autostrade planifikoheshin të vidhen 8 miliardë euro. Beketov ishte themelues i një gazete lokale në qytetin rus, Khimki.

Anastasia Baburova u vra në vitin 2009 në një rrugë të Moskës, ku ishte duke shkuar që ta intervistojë një avokat për të drejtat e njeriut mbi abuzimet që po bëheshin në Çeçeni. Gazetarja u gjuajt nga mbrapa nga një njeri i maskuar. Vrasësi nuk u kap kurrë.

Oleg Kashin, reporter i mediumit “Interpid”, ishte rrahur nga dy njerëz të paidentifikuar afër shtëpisë së tij në nëntor të vitit 2009. Fatmirësisht, ai arriti që të mbijetojë i gjallë, pasi për një kohë kishte qëndruar në komë, ku kishte eshtra të thyer, kafkën të çarë dhe një gisht të këputur. Ai tha se beson që pas sulmit fshihet Andrei Turchak, një njeri i afërt me Putinin pasi Kashin e kishte kritikuar disa herë atë në blogun e tij personal. Por, sipas hetuesve, ata nuk kishin arritur ta gjenin se kush e sulmoi.

Khadzhimurad Kamalov, themeluesi i gazetës lokale të Kaukazit Verior në Rusi, u qëllua për vdekje në dhjetor të vitit 2011 nga një person i maskuar. Ai kishte raportuar shumë herë se si policët rusë po i abuzonin çeçenët. Artikujt e tij ishin shpërndarë shumë, andaj mendohet se kjo është arsyeja kryesore pse Kamalov u vra. Vrasësi i tij nuk u gjet kurrë.

Arkaday Babchenko kishte shërbyer në ushtrinë ruse në luftën kundër Çeçenisë. Më pas ai u bë gazetar dhe punoi si korrespodent lufte për disa medie të ndryshme. Gjatë kohës sa raportonte, mbajti një qëndrim mjaft kritik ndaj qeverisë ruse sa i përket luftës në Gjeorgji dhe Ukrainë, duke e fajësuar Rusinë se po i sulmon civilët. Ai u largua nga Rusia në Ukrainë me frikën se do të vritej. Sidoqoftë, ai nuk arriti të shpëtonte pasi u gjet i vrarë në apartamentin e tij në Kiev.

Ndërkohë që “Russia Today” nuk i ka cilësuar vrasjet e gazetarëve rusë si një sulm ndaj fjalës së lirë dhe gazetarisë, ajo cilëson se arrestimi i një njeriu që vodhi informacione sekrete të “armikut të Rusisë” është shtypje për lirinë e shprehjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat