Në betejën për Tripolin e Libisë janë përfshirë banditët dhe ekstremistët

Bota

Në betejën për Tripolin e Libisë janë përfshirë banditët dhe ekstremistët

Më: 13 prill 2019 Në ora: 16:05
Foto ilustrim

Një javë pas nisjes së sulmit të një gjenerali ndaj kryeqytetit të Libisë, një varg bandash kriminale dhe ekstremistësh janë bërë pjesë e luftës kundër tij. Kjo situatë ka shtruar pyetje të reja për Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë tjera perëndimore, të cilat e kanë dënuar sulmin e tij.

Një koalicion i milicive nga rajone të ndryshme të Libisë i janë kundërpërgjigjur sulmit të Gjeneralit Khalifa Hifter, duke ia prishur pritjet e tij për marshim të lehtë drejt kryeqytetit dhe duke e detyruar të mbështetet në furnizimet që i vijnë nga shkretëtira në pjesën jugore të vendit.

Të premten, kundërshtarët e gjeneralit deklaruan se tanket e tij dhe mjetet e blinduara kanë mbetur pa naftë.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, në luftimet që janë zhvilluar në periferi të Tripolit janë vrarë 75 njerëz, përfshirë shtatë civilë, dhe janë plagosur më shumë se 320 të tjerë. Më shumë se 9 mijë persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe janë larguar nga qyteti.

“Shqetësimi ynë kryesor është shtimi i sulmeve ajrore nga të dyja palët dhe përdorimi i artilerisë së rëndë. Ne besojmë fuqishëm se kulmi i krizës ende nuk ka kaluar”, tha Syed Hussain, përfaqësues i organizatës shëndetësore të Kombeve të Bashkuara në Tripoli.

Libia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë dhe kryetari i kompanisë shtetërore të naftës tha të premten se prodhimi i saj mund të shkatërrohet për shkak të krizës së sigurisë. Çmimet e naftës në tregun botëror tashmë janë rritur për shkak të luftimeve, shkruan “New York Times".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat