Rusia i reagon SHBA-së pas sanksioneve ndaj kryediplomatit të Venezuelës - Bota Sot
Rusia i reagon SHBA-së pas sanksioneve ndaj kryediplomatit të Venezuelës

Bota

Rusia i reagon SHBA-së pas sanksioneve ndaj kryediplomatit të Venezuelës

Më: 27 prill 2019 Në ora: 10:12
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuar për “politika të shantazhit”, pasi Uashingtoni vendosi sanksione ndaj ministrit të Jashtëm të Venezuelës, Jorge Arreaza, si pjesë e përpjekjeve për të detyruar presidentin e kontestuar të Venezuelës, Nicolas Maduro që të largohet nga pushteti.

“Ne nxisim Shtetet e Bashkuara që të respektojnë ligjin ndërkombëtar, t’i japin fund politikës së shantazhit dhe të ndalojnë provokimin e tensioneve në Venezuelë”, thuhet në një njoftim të lëshuar më 26 prill nga Ministria e Jashtme ruse.

Aty po ashtu thuhet se “Uashingtoni vazhdimisht ka refuzuar negociatat si mundësi për të zgjidhur problemin”.

Uashingtoni dhe Moska kohëve të fundit janë duke ashpërsuar retorikën sa i përket çështjes së Venezuelës.

Rusia së bashku me Iranin, Kinën dhe Kubën janë në mesin e vende që mbështesin socialistin Maduro, ndërkaq, Uashingtoni dhe mbi 50 shtete të tjera, po mbështesin presidentin e vetëshpallur, Juan Guaido.

Sipas sanksioneve të reja, SHBA-ja do të bllokojë asetet e ministrit Arreaza dhe shtetasit amerikanë ndalohen që të bëjnë ndonjë marrëveshje me këtë diplomat të Venezuelës.

Në listë të sanksioneve amerikane më 26 prill është futur edhe gjyqtari Carol Padilla, i cili është shprehur kundër liderit opozitar, Guaido.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë duarkryq teksa regjimi i paligjshëm i Maduros lejon popullin të vdes urie, ua heq të drejtën e pasurisë, humanitetit dhe të drejtën për demokraci”, tha më 26 prill, Sekretari amerikan i Thesairt, Steven Mnuchin.

Nicolas Maduro, i cili erdhi në pushtet më 2013, kishte bërë betimin për mandatin e dytë në janar të këtij viti, pas zgjedhjeve të mbajtura në maj të vitit 2018, të cilat u bojkotuan nga opozita. Keqpërdorimet në zgjedhjeve, çuan në protesta masive të qytetarëve në Venezuelë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...