OKB: Provat raketore të Koresë së Veriut i rrisin tensionet në rajon

Bota

OKB: Provat raketore të Koresë së Veriut i rrisin tensionet në rajon

Më: 6 maj 2019 Në ora: 20:42
Foto ilustruese

Kombet e Bashkuara kritikuan Korenë e Veriut pas testimit të fundit të armëve, duke e paralajmëruar se veprimi i tillë mund të rrisë tensionet në rajon.

Të shtunën, Koreja e Veriut testoi një hedhës të raketave dhe disa armë të paspecifikuara taktike.

“Jemi në dijeni për provat e fundit të Koresë së Veriut. Ato i shërbejnë vetëm rritjes së tensioneve në rajon”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bën thirrje të gjitha palëve që “të vazhdojnë dialogun për të çuar përpara paqen e qëndrueshme dhe çarmatosjen e plotë dhe të verifikueshme të Gadishullut Korean”, shtoi Dujarric, përcjell rel.

Pas provave, Shtetet e Bashkuara thanë se do të vazhdojnë t’i bëjnë presion Phenjanit për të braktisur programin bërthamor dhe atë të reketave balistike.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka takuar dy herë udhëheqësin verikorean, Kim Jong Un, por bisedimet e fundit, në muajin shkurt, kanë dështuar, pasi Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesat e verikoreanëve për të hequr sanksionet ndaj shtetit të tyre, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat