Takimi i Arktikut, SHBA refuzojnë të nënshkruajnë deklaratën

Bota

Takimi i Arktikut, SHBA refuzojnë të nënshkruajnë deklaratën

Më: 7 maj 2019 Në ora: 19:10
Takimi i Arktikut

Shtetet e Bashkuara refuzuan të nënshkruajnë një marrëveshje mbi sfidat në Arktik për shkak të mospërputhjeve mbi termat për ndryshimet klimatike, duke vënë në rrezik bashkëpunimin në këtë rajon polar që po vuan pasojat e ngrohjes globale.

Ndërkohë që temperaturat e Arktikut po rriten dyfish më shpejt krahasuar me pjesën tjetër të globit, shkrirja e akullit po krijon rrugë të të reja dtare dhe ka hapur shumë nga rezervat e fundit të naftës dhe gazit për shfrytëzim komercial.

Një takim i tetë vendeve që kufizohen me Arktikun në Rovaniemi të Finlandës, pritej të formulonte një axhendë dyvjeçare për të balancuar sfidën e ngrohjes globale me zhvillimin e qëndrueshëm të nxjerrjes së pasurive minerare.

Por burimet thanë se Shtetet e Bashkuara e bllokuan nënshkrimin e një deklarate përfundimtare pasi nuk ishin dakord me formulimin se ndryshimi i klimës është një kërcënim serioz për Arktikun.

Ishte hera e parë që një takim i Këshilli Arktik del pa një deklaratë që nga formimi i tij në vitin 1996. Megjithatë, në një komunikatë të shkurtër, ministrat nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Rusia, Finlanda, Norvegjia, Danimarka, Suedia dhe Islanda përsëritën angazhimin e tyre për zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit në Arktik.

Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit mohoi se Uashingtoni është bërë pengesë për një veprim global për mjedisin. "Qarkulluan disa versione të ndryshme të deklaratës dhe SHBA ishin gati të nënshkruanin", tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.

Duke ju drejtuar Këshillit, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se administrata e Presidentit Donald Trump "ndan angazhimin tuaj të thellë ndaj ruajtjes së mjedisit" në Arktik. Por ai shtoi se qëllimet kolektive nuk janë gjithmonë përgjigja.

Marrëveshjet mes vendeve të Këshillit të Arktikut nuk janë të detyrueshme dhe zoti Pompeo akuzoi Rusinë dhe Kinën se nuk po luajnë sipas rregullave kur kërkojnë të drejta mbi burimet dhe rrugët tregtare.

"Qëllimet kolektive bëhen të pakuptimta, madje kundër-produktive sapo një vend nuk vepron sipas rregullave," tha zoti Pompeo përpara Këshillit Arktik.

Shkencëtarët besojnë se Arktiku përmban rreth 13 për qind të rezervave të pazbuluara të naftës në botë dhe 30 për qind të rezervave të saj të gazit natyror, si dhe depozita të mëdha minerale si metale të zinkut, hekurit dhe tokave të rralla.

Nxjerrja e tyre është e shtrenjtë, por shkrirja e akullit po e bën më të realizueshme, ndërkohë që po ndikon mbi klimën në botë.

Presidenti Trump ka shprehur shpesh skepticizëm nëse ngrohja globale është rezultat i aktivitetit njerëzor dhe i ka qëndruar vendimit të tij të vitit 2017 për t'u tërhequr nga marrëveshja e Parisit për klimën, e nënshkruar nga pothuajse 200 qeveri në vitin 2015.

TAKIM POMPEO-LAVROV PËR VENEZUELËN

Në periferitë e Këshillit të Arktikut në Finlandë, Sekretari i Shtetit Pompeo diskutoi me homologun e tij rus, Sergej Lavrov, për Venezuelën.

Të dy kryediplomatët theksuan se nuk duan ndërhyrje ushtarake të huaj në vend.

"E kam bërë të qartë qëndrimin tonë se venezuelianët meritojnë një demokraci, pra që vendi të mos drejtohet nga ndonjë palë e huaj e cila të jetë e përfshirë ushtarakisht në mënyrë të vazhdueshme. Pra ne duam që kubanët të ikin. Ne duam që ushtarakët e Rusisë të ikin,” tha zoti Pompeo./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat