Papa dekreton detyrimin për të njoftuar abuzimin seksual në kishë

Bota

Papa dekreton detyrimin për të njoftuar abuzimin seksual në kishë

Më: 10 maj 2019 Në ora: 12:18
Papa Françesku

Priftërinjtë katolikë dhe anëtarët e tjerë të klerit duhet të raportojnë që nga muaji qershor çdo dyshim për abuzim seksual dhe përpjekje për të mbuluar abuzimet . Këtë e urdhëroi Papa Françesku.

Papa Françesku i ashpërsoi rregullat e kishës në luftën kundër abuzimit seksual. Që tani e tutje, priftërinjtë dhe anëtarët e tjerë të klerit janë të detyruar të raportojnë çdo rast dyshimi ose çdo tentativë për të mbuluar abuzimin seksual të kishës.

Përveç kësaj, instancat e kishës do të jenë të detyruara të ndihmojnë hetuesit shtetërorë në punën e tyre hetimore. Gjithashtu, të gjitha dioqezat duhet të krijojnë më e vonta deri në qershor të vitit 2020 një sistem të raportimit që të përdoret lehtë. Dënimet e mëparshme në fuqi të kishës nuk ashpërsohen me dekretin e ri të Papës. Sekreti i rrëfimit mbetet i paprekur nga normat e reja.

Masat kundër mbulimit

Dekreti vlen për të gjitha format e abuzimit seksual nga klerikët dhe fetarët. Kjo përfshin aktet seksuale "nën dhunë ose kërcënim ose shpërdorim posti", akte seksuale me të mitur ose persona të pambrojtur dhe prodhimin, zotërimin dhe shpërndarjen e pornografisë së fëmijëve. Në të ardhmen, krime të tilla duhet të raportohen dhe të hetohen.

Përveç kësaj, dekreti gjithashtu mundëson ndëshkimin penal të mbulimit të rasteve të abuzimit. Dekreti bazohet në Kërkesën e Gjashtë të Biblës, që ndalon shkeljen e kurorës. Dokumenti gjithashtu kërkon që instancat kishtare t'i trajtojnë ata që preken dhe familjet e tyre "me dinjitet dhe respekt". Atyre do t'u ofrohet kujdes i mëtejshëm mjekësor, terapeutik dhe psikologjik.

Për kritikët rregullat e reja nuk shkojnë aq larg sa duhet. Ata i bënë thirje kishës të raportojë rastet e dyshimeve. Ministrja Federale e Drejtësisë, Katarina Barley tha se kërkesa e re e raportimit ka vlefshmëri vetëm brenda kishës. Megjithatë, abuzimi seksual i fëmijëve duhet të gjykohet nga gjykatat penale, tha ajo.

Kisha Katolike po tronditet prej vitesh me radhë nga skandalet e abuzimit. Në fund të marsit, Papa miratoi një ligj gjithëpërfshirës për Vatikanin. Ai detyron çdo anëtar të Shtetit të Vatikanit dhe të administratës së kishës që mëson për një rast keqpërdorimi që ta raportojë atë menjëherë./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat