Netanyahu synon që me ligj ta mbrojë veten nga hetimet

Bota

Netanyahu synon që me ligj ta mbrojë veten nga hetimet

Më: 13 maj 2019 Në ora: 18:27
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është duke planifikuar ta propozojë një ligj që do t’ia mundësonte kuvendit mbrojtjen e tij nga ndjekja penale. Sipas raportimeve të medieve izraelite, ai përballet me akuza të mundshme për tri raste të korrupsionit.

Sipas propozimit të ri, kuvendi izraelit dhe ministrat e kabinetit qeveritar do të mund ta injoronin secilin vendim të Gjykatës së Lartë, përfshirë kërkesën për heqjen e imunitetit të Netanyahut.

Mbështetur në raportimin e një gazete izraelite, ky ndryshim është pjesë e një shtojce ligjore të marrëveshjes së koalicionit dhe udhëzimeve qeverisëse, të cilat po hartohen nga Netanyahu në kohën kur po e ndërton koalicionin e ri pas fitores në zgjedhjet e prillit.

Nëse miratohet, propozimi do t’i dhuronte mbrojte shtesë udhëheqësit të fuqishëm të krahut të djathtë, i cili e siguroi mandatin e pesë, duke e thyer kështu rekordin e të gjithë kryeminsitrave të mëparshëm.

Netanyahu është përpjekur edhe më parë ta rikthejë ligjin e vitit 2005 për imunitetin, sipas të cilit kuvendi ka të drejtë ta refuzojë kërkesën e prokurorit të përgjithshëm për heqje të imunitetit të ndonjë politikani.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar gazetari izraelit, Anshel Pfeffer. “Pasoja e këtij ligji do të jetë humbja e fuqisë së Gjykatës së Lartë për shqyrtim ligjor të veprimeve të qeverisë në të gjitha fushat, përfshirë ushtrinë, shtetin dhe fenë. E tërë kjo vetëm për ta mbrojtur Netanyahun nga gjykimi”, shkroi ai në Twitter.

Pritet që prokurori i përgjithshëm i Izraelit ta akuzojë Netanyahun për tri raste të korrupsionit. Kryeministri dyshohet se ka pranuar dhurata të shtrenjta nga miqtë e pasur dhe ka ofruar përkrahje të padrejtë ndaj një gazete në këmbim të publikimit të lajmeve pozitive për të, shkruan “Independent”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat