Trumpi kërkon dialog me Xi-në

Bota

Trumpi kërkon dialog me Xi-në

Më: 15 maj 2019 Në ora: 12:49
Trumpi me Xi-në

Megjithë shkallëzimin e mosmarrëveshjes tregtare me Kinën, Presidenti amerikan njoftoi për një takim me homologun e tij kinez. Nëse ai do të vendosë dogana të reja mbi importet kineze, këtë Trumpi e ka lënë të hapur.

Presidenti i SHBA Donald Trump sipas fjalëve të tij nuk ka vendosur ende, nëse ai do të vendosë tarifa të posaçme doganore mbi të gjitha importet nga Kina. "Asnjë vendim nuk është marrë," tha Trumpi në Uashington. Ai po planifikon një takim me udhëheqësin kinez Xi Jinping në samitin e G20-ës në Japoni në fund të muajit të ardhshëm, vazhdoi Trumpi. Ai beson se biseda do të jetë "shumë e frytshme". "Ne bëjmë tregti me ta. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë."

Negociatat me Kinën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes doganore përfunduan së fundi në një rrugë pa krye. "95 për qind (të çështjeve) i patëm diskutuar ", tha Presidenti i SHBA. Pastaj negociatorëve të tij që patën shkuar në Pekin iu tha se ishte koha për të diskutuar sërish gjëra që tashmë ishin diskutuar plotësisht.

Kina merr hak

Qeveria e Trump i ngriti të premten tarifat e posaçme doganore për mallrat kineze me vlerë 200 miliardë dollarë, nga dhjetë për qind që ishin deri tani, në 25 për qind. Pas kësaj,  të hënën, Ministria e Financave e Kinës njoftoi se do të vendoste që nga qershori për produktet e SHBA dogana shtesë në shumën prej 60 miliardë dollarësh.

Në lidhje me masat hakmarrëse të Republikës Popullore, Trumpi bëri të ditur se qeveria e tij dëshiron të paguajë një kompensim financiar për fermerët e SHBA. Fermerët përballen me vështirësi për tregtimin e produkteve të tyre, nëse Kina nuk importon produkte agrare bujqësore në të njëjtën masë si deri sot nga Shtetet e Bashkuara.

Paqetësi në tregjet financiare

Banka Qendrore e SHBA (Fed) tha se i kishte të gjitha mjetet e nevojshme për t'iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme pasojave të mosmarrëveshjes doganore me Kinën. Këtu bën pjesë ulja e interesave bankare, po të ketë një ngadalësim të zhvillimit ekonomik, tha bankieri i Fed-it, Eric Rosengren. Por ai nuk beson se një hap i tillë është i domosdoshëm.

Frika e një lufte tregtare e fundosi Wall Streetin në fillim të javës. Indeksi Dow Jones u mbyll 2.4 për qind më i ulët - humbja më e lartë ditore që nga fillimi i janarit. Indeksi i bursës së teknologjisë Nasdaq madje humbi 3.4 për qind.

Në bursën e Frankfurtit, Dax-i të hënën ra me 1.5 përqind. Pas këtyre humbjeve të një dite më parë, të martën në Japoni, Indeksi-Nikkei-225 ra me 1.8 përqind në 15 minutat e para të tregtimit.  Në Hong Kong, Hang Sengu ra me dy për qind. Shkëmbimet e bursave në Kinë ishin në minus të thellë. Indeksi orientues Kospi në Seul, i cili kishte rënë në nivelin më të ulët që prej janarit të hënën, ra fillimisht më tej, por më pas e mori veten.

Pasiguritë për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare me SHBA po e dëmtojnë konjukturën globale. Qeveria Federale gjermane dhe ekspertë kryesorë ekonomikë kanë ulur ndjeshëm parashikimin e tyre për rritjen ekonomike gjermane këtë vit. Kjo e rëndon ekonominë gjermane të orientuar nga eksporti./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat