“Mbretëria” e lules së verdhë “pushton” Republikën Çeke

Bota

“Mbretëria” e lules së verdhë “pushton” Republikën Çeke

Më: 20 maj 2019 Në ora: 13:10
Foto

Lule të verdha verbuese të kanolës kanë mbuluar zonat rurale në Republikën Çeke, me banorët e zemëruar që fajësojnë udhëheqësin e tyre miliarder se po e infekton vendin me bimën fitimprurëse.

“Njerëzit thonë se ajo mban erë të keqe, është e shëmtuar, e verdhë, duket invazive. Por, nuk mund të fajësosh bimën. Problemi është mënyra sesi ne e përdorim atë. Duke rritur kanolën, ne po shkatërrojmë fshatin, ujin, tokën dhe biodiversitetin”, tha Jakub Hruska, akademik.

Me fushat e kanolës që mbulojnë 16 për qind të tokës së punuar në Çeki, vendi kryeson në Bashkimin Europian për rritjen e bimës. Kryeministri Andrej Babis konsiderohet si përfituesi më i madh, sepse ai e ka krijuar pasurinë e tij si pronar i një grupi që mbulon të gjithë ciklin e përpunimit të kanolës.

Bima rritet dhe me të prodhohen fertilizues dhe pesticide. Ajo përpunohet në biodiezel, që i shtohet karburantit diezel sipas një ligji çek, të frymëzuar nga një direktivë e BE-së për biokarburantet.

Kanola përdoret edhe për qëllime ushqyese. Vaji i kanolës është ideal për skuqje dhe kanola shërben edhe si ushqim për bletët. Por, ajo është edhe një bimë pak rezistente ndaj parazitëve e kërkon trajtim kimik të madh.

Pesticidet qëndrojnë në tokë, shiu i dërgon më pas në lumenj apo në ujin e nëndheshëm, ndërkohë që vrasin mikroorganizmat dhe reduktojnë biodiversitetin. Sidoqoftë, fermerët çekë po fitojnë jo pak me kanolën, thuajse dy herë më shumë nga sa do të fitonin me grurin.

Ndaj dhe lulja e verdhë po shihet gjithnjë e më shumë në panoramën rurale çeke.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat