Pentagoni do ta ndërpresë përdorimin e satelitëve komercialë të lëshuar nga Rusia

Bota

Pentagoni do ta ndërpresë përdorimin e satelitëve komercialë të lëshuar nga Rusia

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 09:58
Satelitet komercial

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta ndërpresë përdorimin e satelitëve komercialë që janë dërguar në hapësirë përmes raketave ruse duke filluar nga viti 2023. Ky vendim erdhi në kohën kur marrëdhëniet mes dy shteteve janë përkeqësuar.

Masa e publikuar të premten pritet të jetë një goditje e rëndë për industrinë ruse dhe do t’i ndihmojë satelitët “SpaceX” dhe “Blue Origin”, të cilët janë në pronësi të miliarderëve Elon Musk dhe Jeff Bezos.

Ky vendim e vë në pah rritjen e mosbesimit mes Uashingtonit dhe Moskës pas pushtimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe përpjekjes së Shteteve të Bashkuara për ta përdorur ndikimin e tyre ekonomik për ta ndëshkuar Rusinë për veprimet e saj.

“Shtetet e Bashkuara e kanë kuptuar se Rusia nuk do të jetë mike dhe çdo gjë që bëjmë për ta ndihmuar sektorin e tyre të hapësirës mund të na kthehet bumerang, sepse ata po përpiqen ta rrezikojnë sigurinë tonë në të gjitha mënyrat”, tha Todd Harrison, drejtor i Projektit për Siguri të Hapësirës Ajrore në Uashington.

Kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara marrin vendime për ta goditur industrinë ruse të hapësirës. Uashingtoni tashmë ka njoftuar se nga viti 2023 do ta ndërpresë edhe dërgimin e satelitëve ushtarakë në hapësirë nga raketat ruse, shkruan “Free Europe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat