Forcat sudaneze vrasin pesë protestues

Bota

Forcat sudaneze vrasin pesë protestues

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 10:52
Foto ilustrim

Forcat sudaneze të sigurisë e kanë sulmuar protestën prodemokratike pranë komandës qendrore të ushtrisë në kryeqytetin e këtij vendi, Khartoum. Ato kanë përdorur municion të vërtetë dhe dëshmitarët kanë thënë se ka viktima.

Sudani është duke u qeverisur nga Këshilli Kalimtar Ushtarak që nga rrëzimi nga pushteti i ish-presidentit Omar al-Bashir përmes puçit në prill të këtij viti. Sidoqoftë, protestuesit po kërkojnë që vendi i tyre të qeveriset nga një qeveri civile.

Forcat e sigurisë reaguan ashpër kundër protestuesve të hënën. Banorët e Khartoumit thanë se kanë dëgjuar të shtëna të shumta me armë dhe kanë parë tym përreth komandës qendrore të ushtrisë.

Raportohet se të paktën pesë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë lënduar gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë.

Protestuesit kanë djegur goma dhe kanë vendosur barrikada në përpjekje për t’i larguar forcat e sigurisë nga grumbulli i tyre.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sudan ka thënë se sulmi i forcave sudaneze të sigurisë kundër protestuesve është i gabuar dhe duhet të ndalet, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat