Lirohet nga burgu anglezja që e kishte vrarë me çekan bashkëshortin e dhunshëm

Bota

Lirohet nga burgu anglezja që e kishte vrarë me çekan bashkëshortin e dhunshëm

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 12:05
Foto ilustrim

Një viktimë e dhunës familjare që e kishte vrarë bashkëshortin e saj me çekan do të jetë e lirë pasi një gjykatës mori vendim që ajo nuk do t’i nënshtrohet rigjykimit për këtë vepër.

Sally Challen, 65 vjeçe, ishte shpallur fajtore për vrasjen e ish-bashkëshortit 61 vjeç, Richard Challen në Surrey të Britanisë së Madhe dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2011.

Nëna e dy djemve, e cila e kaloi pothuajse një dekadë prapa grilave, ishte ankuar se për disa vjet ka pësuar dhunë shkatërruese nga burri i saj, para se ta vriste atë në gusht të vitit 2010.

Duke folur pas daljes nga gjykata, Challen tha: “Vetëm dua të them se sa e lumtur jam dhe dua t’i falënderoj ekipin tim ligjor dhe familjen time, të cilët më kanë qëndruar pranë gjatë tërë kësaj kohe”.

Ajo shtoi: “Shumë gra të tjera, të cilat janë viktima të dhunës si unë, ndodhen në burg duke i vuajtur dënimet me burgim të përjetshëm. E di sepse i kam takuar. Ato nuk do të duhej të akuzoheshin për vrasje. Shpresoj që sistemi i drejtësisë ta kuptojë se ka dhunë dhe ata duhet ta marrin këtë më seriozisht”.

Vendimi për burgim të përjetshëm ishte shfuqizuar në muajin shkurt, ndërsa ajo pritej t’i nënshtrohej një procesi të rigjykimit. Sidoqoftë, asaj iu zbut dënimi në nëntë vjet e katër muaj burgim, kohë të cilën ajo tashmë e ka kaluar dhe për këtë arsye është liruar, shkruan “Independent”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat