OBSH, jo emergjencë ndërkombëtare për epideminë e Ebolës

Bota

OBSH, jo emergjencë ndërkombëtare për epideminë e Ebolës

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 15:53
Foto ilustrim

Organizata Botërore e Shëndetit vendosi të mos shpallë situatë emergjence për epideminë e Ebolës, megjithë përhapjen e saj nga Republika Demokratike e Kongos drejt Ugandës.

Komisioni i ekspertëve të OBSH-së u mblodh për të tretën herë në Gjenevë, për të rivlerësuar epideminë, për të cilën disa ekspertë thonë se përmbush të gjitha kriteret për t’u konsideruar një emergjencë ndërkombëtare.

Kreu i Komisionit të Emergjencave të OBSH-së tha se epidemia përbën një situatë emergjence shëndetësore për Kongon dhe rajonin, por se nuk i përmbush kriteret për një emergjencë të shëndetit publik me përmasa ndërkombëtare. OBSH-ja mendon se rreziku i përhapjes përtej rajonit është i vogël. Që nga themelimi në vitin 2005, Komisioni i Emergjencave i Organizatës Botërore të Shëndetit ka shpallur emergjencën shëndetësore vetëm në katër raste.

Epidemia e tanishme e Ebolës ka filluar në gusht të vitit të kaluar dhe ka marrë deri më tani jetët e mbi 1400 personave. Këtë javë, virusi u përhap edhe në Uganda, në zona pranë kufirit me Ruandën dhe Sudanin Jugor, duke ngjallur shqetësimin se mund të përhapet në disa vende të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat