Namibia vë në ankand një mijë kafshë të egra për shkak të thatësisë

Bota

Namibia vë në ankand një mijë kafshë të egra për shkak të thatësisë

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 12:05
Foto ilustrim

Autoritetet e Namibisë, shtet në pjesën jugore të Afrikës, e kanë autorizuar shitjen e së paku një mijë kafshëve të egra, përfshirë elefantë dhe gjirafa, në mënyrë që ta zvogëlojnë numrin e kafshëve të ngordhura për shkak të mungesës së ushqimit e ujit dhe në mënyrë që të fitohen 1.1 milion dollarë, të cilët do të përdoren për kafshët tjera.

“Duke marrë parasysh se ky vit do të jetë vit i thatësisë, ministria e mjedisit synon të shesë lloje të ndryshme të kafshëve nga disa zona të mbrojtura për t’i ruajtur kullosat dhe të sigurohen mjete financiare që janë shumë të nevojshme për menaxhimin e kafshëve të egra”, tha zëdhënësi i kësaj ministrie, Romeo Muyunda.

Muajin e kaluar, autoritetet e Namibisë e shpallën gjendjen e katastrofës. Shërbimet meteorologjike në pjesën jugore të këtij vendi kanë thënë se ky rajon po përballet me njërën prej thatësirave më vdekjeprurëse në nëntëdhjetë vjetët e fundit.

“Gjendja e kullosave në shumicën e parqeve tona është tepër e dobët dhe nëse nuk e zvogëlojmë numrin e kafshëve, shumë prej tyre do të ngordhin”, shtoi zëdhënësi Muyunda.

Në prill të këtij viti, sipas një raporti të ministrisë së bujqësisë, 63 mijë e 700 kafshë kanë ngordhur në vitin 2018 në Namibi për shkak të mungesës së ushqimit dhe motit të thatë.

Namibia, shtet me 2.4 milionë banorë, më parë ka bërë thirrje për ndihma ndërkombëtare për shkak të thatësisë së madhe që i ka prekur mbi 500 mijë njerëz. Qeveria e këtij shteti i ka ndarë vetëm 40 mijë dollarë për ushqim e ujë për kafshët, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat