Amerika e ka nijet të përdorë armë bërthamore në luftërat e radhës, për t’i fituar ato bindshëm

Bota

Amerika e ka nijet të përdorë armë bërthamore në luftërat e radhës, për t’i fituar ato bindshëm

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 22:49
Foto ilustrim

Pentagoni beson se përdorimi i armëve bërthamore mund “të krijojë kushtet për rezultate vendimtare dhe të kthejë stabilitetin strategjik”, sipas një doktrine të re bërthamore, të miratuar nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë amerikane, javën e kaluar.

Dokumenti, i titulluar Operacionet Bërthamore, është publikuar më 11 qershor, dhe përbën doktrinën e parë të këtij lloji në 14 vjetët e fundit, ka raportuar gazeta britanike, The Guardian, të mërkurën.

Ekspertët e kontrollit të armëve bërthamore thonë se ky dokument paraqet një ndryshim të të menduarit të ushtrisë amerikane për luftën dhe për fitimin e një lufte bërthamore – e cila, besojnë ata, është një mendësi tejet e rrezikshme.

“Përdorimi i armëve bërthamore mund të krijojë kushtet për rezultate vendimtare dhe të kthejë stabilitetin strategjik”, thotë dokumenti i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Amerikës. “Në mënyrë specifike, përdorimi i një arme bërthamore do ta ndryshojë në mënyrë rrënjësore idenë e një lufte dhe do t’i krijojë kushtet që do të ndikojnë në triumfin e komandantëve në konflikt”.

Në fillim të një kapitulli për planifikimin dhe shënjestrimin bërthamor, dokumenti citon një teoricien të Luftës së Ftohtë, Herman Kahn, i cili ka parashikuar se “armët bërthamore do të përdoren dikur në njëqind vjetët e ardhshëm, por përdorimi i tyre me shumë gjasë do të jetë i vogël dhe i kufizuar, sesa i gjerë dhe pakontrolluar”.

Kahn ka qenë figurë kontroverse. Ai ka argumentuar se një luftë bërthamore “mund të fitohet”, dhe raportohet të ketë shërbyer si frymëzim për filmin e famshëm “Dr Strangelove” të regjistorit Stanley Kubrick.

Dokumenti që është titulluar Operacionet Bërthamore është hequr nga ueb-sajti i Pentagonit pas një jave, dhe tani mund të shikohet vetëm nëpërmjet një librarie elektronike me qasje të kufizuar. Por, para se ai të hiqej, atë e ka shkarkuar Steven Aftergood, i cili drejton një projekt për fshehtësitë qeveritare për Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë.

Një zëdhënës i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane ka thënë se dokumenti është larguar nga sytë e publikut “sepse është vlerësuar se ky publikim, sikurse të tjerët nga shtabi i përgjithshëm, duhet të jetë vetëm për përdorim zyrtar”.

Aftergood ka vlerësuar se dokumenti “është hartuar qartazi si doktrinë për fitim lufte – dhe jo thjesht si doktrinë mbrojtëse, dhe kjo është shqetësuese”.

Ai ka theksuar se, si një dokument operativ i shtabit të përgjithshëm, roli i tij është të planifikojë për skenarët më të këqija. Por, Aftergood ka shtuar se “vetë ky lloj i të menduarit mund të jetë i rrezikshëm. Ai mund ta bëjë këtë lloj ngjarje më të mundshme, në vend se ta parandalojë atë”.

Doktrina është publikuar në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump ka tërhequr Amerikën nga dy marrëveshje bërthamore (njëra me Iranin, e nënshkruar më 2015, dhe tjetra me Rusinë, e nënshkruar më 1987) dhe po mendon të tërhiqet edhe nga një marrëveshje tjetër, po ashtu me Rusinë.

Ndërkohë, Amerika dhe Rusia janë të angazhuara në programe prej miliarda dollarësh për modernizimin e armëve bërthamore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat