Trump hedh poshtë kërkesën e OKB-së që FBI të hetojë vrasjen e Jamal Khashoggi-t

Bota

Trump hedh poshtë kërkesën e OKB-së që FBI të hetojë vrasjen e Jamal Khashoggi-t

Më: 23 qershor 2019 Në ora: 18:46
Jamal Khashoggi

Donald Trump ka hedhur poshtë një kërkesë të Kombeve të Bashkuara që Byroja Feredale e Hetimit (FBI) të hetojë vrasjen e gazetarit disident Jamal Khashoggi, duke sugjeruar se kjo do të rrezikonte shitjet e armëve në Arabinë Saudite.

Një raport mbi vrasjen e Khashoggi, i publikuar javën e kaluar nga raportuesi special i OKB-së për vrasjet jashtëgjyqësore, tha se SHBA duhet të hapë një hetim të FBI dhe “të ushtrojë ndjekjet penale brenda Shteteve të Bashkuara, sipas rastit”.

Por Trump la propozimin mënjanë në një intervistë të transmetuar nga NBC’s Meet the Press të dielën.

I pyetur nëse ai do të lejonte FBI-në të iniconte hetimin, Trump tha: “Unë mendoj se është hetuar tepër”.

I pyetur se kush e kishte hetuar rastin, presidenti u përgjigj: “Nga të gjithë. Kam parë raporte të ndryshme”.

Khashoggi, 59 vjeç, u vra kur hyri në konsullatën saudite në Stamboll në tetor të vitit të kaluar. Raportuesi i posaçëm i OKB-së fajësoi qeverinë saudite për vrasjen dhe tha se kishte prova të besueshme se përgjegjësit ishin Princi i Kurorës Mohammed bin Salman dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Senati javën e kaluar votoi për të bllokuar administratën Trump nga shitja e armëve në Arabinë Saudite, me shtatë republikanë që u bashkuan me demokratët për të kaluar masën. Trump është zotuar të përdor veton e tij presidenciale dhe të vazhdojë me shitjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat