Putin thotë se Rusia dhe SHBA-ja do të rinisin bisedimet për armët bërthamore

Bota

Putin thotë se Rusia dhe SHBA-ja do të rinisin bisedimet për armët bërthamore

Më: 29 qershor 2019 Në ora: 13:12
Presidenti rus, Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se ai dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump kanë urdhëruar ministrat e tyre të Jashtëm, që të nisin konsultimet mbi kontrollin e armëve bërthamore.

Duke folur pas samitit të G20-ës në Osaka të Japonisë, Putin theksoi se “ende nuk mund të themi se nëse kjo do të çojë në zgjatjen e traktatit ‘Fillimi i Ri’”, duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2010 për kontrollin e armëve, e cila skadon më 2021, nëse dy shtetet nuk pajtohen që ta zgjasin atë.

Në anën tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump teksa foli para gazetarëve, duke iu referuar takimit të tij me Putinin tha se “ne kemi biseduar shumë për kontrollin e armëve”.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, e cila u publikua pas takimit Trump-Putin, thuhet se dy liderët biseduan për traktatin në fjalë.

“Presidentët janë pajtuar që dy shtetet duhet të vazhdojnë bisedimet në një model të shekullit 21 për kontrollin e armëve, për të cilin, presidenti Trump ka thënë se është e nevojshme që në këto bisedime të përfshihet edhe Kina”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Kontrolli i armëve bërthamore është bërë një çështje shqetësuese sidomos pasi Uashingtoni më herët gjatë këtij vitit akuzoi Rusinë për shkeljen e Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi dhe u tërhoq nga kjo marrëveshje.

Zyrtarët e administratës së Trumpit kanë dhënë sinjale se ata duan të negociojnë një traktat të ri, ku do të përfshihej edhe Kina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat