SHBA bllokon rezolutën e Këshillit të Sigurimit për Libinë

Bota

SHBA bllokon rezolutën e Këshillit të Sigurimit për Libinë

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 14:02
Ilustrim

Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk e dënoi sulmin ajror ndaj një kampi refugjatësh në afërsi të kryeqytetit libian, ku humbën jetën 44 viktima. Në takimin e jashtëzakonshëm, diplomatët amerikanë mbajtën qëndrim refuzues.

Drafti i një deklarate të përbashkët për sulmin ajror me viktima në Libi ishte sjellë nga Britania e Madhe. Por diplomatët amerikanë refuzuan ta miratojnë atë, dhe e arsyetuan qëndrimin e tyre kundërshtues, me mosmarrjen e "OK"-it nga qeveria e presidentit Donald Trump.

Dokumenti britanik përmbante ndër të tjera një apel drejtuar palëve në konflikt në Libi për të ndalur luftimet dhe kërkesën për bisedime të reja politike në shtetin afrikano-verior në krizë. Megjithatë nuk përmendej një fajtor për sulmin ndaj kampit të refugjatëve. Takimi i Këshillit të Sigurimit ishte thirrur nga Peruja, që mban aktualisht kryesinë e radhës së KS.

Shumë viktima pas sulmit

Në sulmin kundër kampit Tadshura në afërsi të Tripolit natën e së mërkurës u vranë 44 vetë dhe më shumë se 130 të tjera janë plagosur. Qeveria e Tripolit që gëzon mbështetje ndërkombëtare bëri përgjegjëse trupat e gjeneralit Chalifa Haftar për sulmin. Haftar nuk e pranon përgjegjësinë. Zëdhënësi i trupave të Haftarit ka akuzuar palën kundërshtare, se po krijon një "komplot", për t'ia hedhur fajin trupave të Haftarit.

Image

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Ghasan Salame kërkoi një hetim të pavarur dhe deklaroi, se sulmi ajror mund të kategorizohet si krim lufte. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e dënoi sulmin në afërsi të kryeqytetit Tripoli "në mënyrën më të ashpër". Kombet e Bashkuara ia kanë bërë të ditur koordinatat e kampit të gjitha palëve që luftojnë për të siguruar që të mos sulmohen civilët, bëri të ditur një zëdhënës i Guterres. Sekretari i Përgjithshëm i OKB kërkoi hetim të pavarur për "të siguruar që aktorët të dalin para gjyqit".

Vetë SHBA e dënuan ashpër sulmin ndaj kampit të refugjatëve. Vdekja "tragjike dhe e panevojshme" e dhjetëra njerëzve e bën të nevojshme ndaljen e luftimeve në Tripoli dhe "kthimin në procesin politik", bëri të ditur një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në Uashington. Ndryshe nga Kombet e Bashkuara dhe BE, SHBA nuk kërkoi hetim të menjëhershëm të sulmit.

Trupat e Haftarit ndërkohë sulmuan të vetmin aeroport funksionues në Tripoli. Forcat e sigurisë në Mitiga thanë, se sulmi nuk shkaktoi viktima ose të lënduar. Por fluturimet janë ndaluar. Një zëdhënës i trupave të Haftarit bëri të ditur, se është shkatërruar një qendër për dronet./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat