Urat më romantike në botë

Bota

Urat më romantike në botë

Më: 8 korrik 2019 Në ora: 15:09
Foto

Pavarësisht se çfarë kuptimi kanë këto struktura për ju, më poshtë janë disa prej urave më romantike në botë

Ponte di Rialto, Venecia

Një nga urat më romantike në botë është sigurisht Ponte di Rialto, në Venecia. E pasur me histori, kjo urë u ndërtua fillimisht prej druri, para se të digjej dhe të ndërtohej prej guri në fund të shekullit XVI. Ura është vërtet unike për dy radhët e dyqaneve që janë ndërtuar brenda saj që takohen tek harku në qendër. Arkitektura dhe historia janë ndër arsyet që e bëjnë Ponte di Rialto një vend mjaft të dashur për propozimet për martesë në Venecia, transmeton ‘monitor’.

Pont Neuf, Paris

Le Pont Neuf është ura më e vjetër në Paris dhe përshkon lumin Sena, duke takuar në qendër Île de la Cité. Kjo urë shfaqet edhe në filmin ‘Les Amants Du Pont Neuf’, ku në qendër janë dy të rinj të dashuruar, të pastrehë që jetojnë në urë gjatë mbylljes së punimeve. Nëse nuk jeni ende të bindur për bukurinë e kësaj ure, shihni filmin dhe kushtojini rëndësi të veçantë skenës kur dy protagonistët kërcejnë përgjatë urës nën tingujt e një melodie të vjetër, përcjell albinfo.ch.

Rakotzbrücke, Saksoni

Pavarësisht se emri i saj tingëllon kërcënues, është një ndër urat më piktoreske në botë. Në një ditë të qetë dhe me diell, reflektimi i urës është një hark i përkryer. Kalimi i urës është i ndaluar për shkak të strukturës së saj delikate – nga këtu vjen emri “Ura e djallit”. Historikisht mendohet se është mbajtur nga vetë djalli pasi arkitektura e saj duket se sfidon gjithë ligjet e fizikës!

Ura e Psherëtimave, Kembrixh

Kjo urë e bukur në Kembrixh, që e merr emrin nga Ponte dei Sospiri në Venecia, ndodhet në kampusin universitar dhe lidh oborrin e ri me ndërtesat e vjetra universitare. Mendohet se ura e Kembrixh ka të njëjtin emër me Urën e Psherëtimave në Venecia, në nder të psherëtimave të studentëve gjatë sezonit të provimeve.

Karluv Most, Pragë

E ndërtuar mes shekujve XIV dhe XV, Karluv Most apo Ura e Karlit – është një urë gotike për këmbësore me 16 harqe që përshkon lumin Vltava. Në pjesën lindore të urës është një kulle gjigante, me një hark të fitores si portë hyrje në urë. Vizitorët duhet të paguajnë një shumë të vogël parash për t’u ngjitur në kullë dhe për të shijuar një peizazh panoramik të qytetit.

Ura Craigellachie, Skoci

Kjo urë e mrekullueshme ndodhet në Skocinë verilindore, në qarkun Moray. Ura është ndërtuar në fillim të shekullit XIX dhe sot – pasi është mbyllur për makinat në vitet ‘70 – në të kalojnë vetëm këmbësore dhe çiklistë. Dy kullat në skaje të saj e bëjnë këtë një vend magjik për një shëtitje romantike me partnerin tuaj.

Ura Andy Warhol, Pittsburgh

E hapur në vitet ‘20, e njohur ndryshe edhe si Seventh Street Bridge, në ngjyrë të verdhë, ndodhet në qendër të Pittsburgh në Pensilvani. Është quajtur Ura Andy Warhol në vitin 2005 për të përkujtuar dhjetëvjetorin e Muzeut Andy Warhol aty pranë. Kjo urë e bukur është për këmbësorët.

Széchenyi Lánchíd, Budapest

Ura e Zinxhirëve të Széchenyi shtrihet nga Buda në Pest mbi Danub dhe simbolizon lidhjen mes pjesës lindore dhe asaj perëndimore të qytetit. Kjo urë është edhe më magjike në mbrëmje kur dy kullat e saj prej guri ndriçohen dhe trafiku zvogëlohet.

Helix Bridge, Singapor

Edhe pse historia e saj nuk është aq e pasur sa ajo e urave të mësipërme, ju nuk duhet ta humbisni kurrsesi një shëtitje në Helix Bridge në Singapor. Struktura e saj hipnotizuese është projektuar nga një grup arkitektësh australianë. Ura 918 metra përshkon Marina Bay dhe në mbrëmje, kur ndizen dritat, bëhet edhe më magjepsëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat