Një akademike franceze-iraniane "arrestohet në Iran"

Bota

Një akademike franceze-iraniane "arrestohet në Iran"

Më: 15 korrik 2019 Në ora: 21:26
Fariba Adelkhah

Franca tha se një akademike franceze-iraniane është ndaluar në Iran dhe i është mohuar ndihma konsullore.

Ministria e Jashtme franceze u bëri thirrje autoriteteve iraniane që të "hedhin dritë" mbi gjendjen e Fariba Adelkhahut dhe t'i lejojnë diplomatët që ta vizitojnë atë.

Adelkhah, antropologe dhe studiuese në Universitetin Science Po në Paris, besohet se është arrestuar qysh në qershor.

Të dielën, një zëdhënës i Qeverisë iraniane u tha gazetarëve lokalë se "nuk ka informacione" për rastin e saj.

"E kam dëgjuar lajmin, por nuk e di se kush e ka arrestuar apo për çfarë arsyesh", tha Ali Rabiei.

Raporte të pakonfirmuara sugjerojnë se Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit qëndron pas arrestimit të saj, me dyshimin për spiunim.

Ministria e Jashmte e Francës tha se ka ndërmarrë hapa për të siguruar informacione nga autoritetet iraniane, në lidhje me gjendjen dhe kushtet e arrestimit të Adelkhahut.

"Asnjë përgjigje e kënaqshme nuk u është dhënë këtyre kërkesave", thuhet në deklaratën e ministrisë franceze.

Irani ka arrestuar disa qytetarë të huaj apo me shtetësi të dyfishtë në vitet e fundit - shumica prej tyre nën akuzat për spiunim.

Ata përfshijnë Nazanin Zaghari-Ratcliffe, shtetase britanike dhe iraniane, që ka punuar si menaxhere projektesh për Fondacionin Thomson Reuters, dhe Xiyue Wang, hulumtues kinezo-amerikan pranë Universitetit Princeton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat