Pakistan, ekstremistët vrasin 10 ushtarë

Bota

Pakistan, ekstremistët vrasin 10 ushtarë

Më: 28 korrik 2019 Në ora: 08:41
Foto

Të paktën 10 ushtarë pakistanezë u vranë të shtunën në dy sulme të veçanta të militantëve, sipas burimeve të ushtrisë.

Gjashtë ushtarë u vranë në sulmin e parë, kur militantët u futën nga Afganistani dhe qëlluan me zjarr një postë ushtarake pranë rajonit Gurbaz në Vaziristanin Verior.

Katër ushtarë të forcave speciale u vranë në sulmin e dytë gjatë operacioneve të bastisjes në provincën e Baluçistanit.

Rrjeti taleban në Pakistan, i cili operon në mënyrë të pavarur nga talebanët në Afganistan, mori përgjegjësi për sulmin në Vaziristanin Verior.

Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Baluçistan.

Vaziristani Verior ishte vite më parë në qendër të vëmendjes në luftën kundër terrorizmit. Për herë të parë në fillim të këtij muaji në këtë zonë u zhvilluan zgjedhjet rajonale, një përpjekje për ta futur këtë rajon në rrjedhën e ngjarjeve politike aktuale pas konfliktit të tejzgjatur të nxitur nga forcat ekstremiste.

Shtetet e Bashkuara prej kohësh e konsiderojnë Vaziristanin Verior si strehë për talebanët, al-Kaidën dhe grupe të tjera ekstremiste. Pakistani e hedh poshtë këtë vlerësim të amerikanëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat