Sekretari i Shtetit Pompeo fillon turneun në Azinë Juglindore

Bota

Sekretari i Shtetit Pompeo fillon turneun në Azinë Juglindore

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 17:58
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo këtë javë shkon në Azinë Juglindore, Australi dhe Mikronezi, dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve me zyrtarë të Koresë së Veriut gjatë takimit rajonal të vendeve të ASEAN-it në Tajlandë. Tensionet me Kinën gjithashtu mund të jetë ndër temat kryesore të takimit të ASEAN-it.

Tajlanda është ndalesa e parë e diplomatit më të lartë amerikan, ku ai do të kryesojë një takim mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të ASEAN –it të enjten dhe ku do të diskutohet mbi vizionin e përbashkët të një Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur. Por pyetjet rreth bisedimeve të mundshme me Korenë e Veriut po e shoqërojnë zotin Pompeo kudo që ai shkon.

"Do të jem në Bangkok për dy ditë. Shpresojmë se diskutimet në nivel pune do të fillojnë shumë shpejt".

Duke folur për Zërin e Amerikës, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus tha se ajo nuk mund të përjashtonte mundësinë e bisedimeve me zyrtarët e Koresë së Veriut gjatë këtij turneu.

"Negociatat tona me Korenë e Veriut janë disa nga gjërat më të ndjeshme që duhet t’i bëjmë kudo në botë. Pra, ne do të vazhdojmë të bisedojmë me aleatët tanë që po përballen nga afër me këto çështje, pra pavarësisht nëse bëhet fjalë për Korenë e Veriut, Kinën apo një mori çështjesh të tjera në Azinë Juglindore".

Zonja Ortagus i tha Zërit të Amerikës se Deti i Kinës së Jugut është një çështje tjetër shqetësuese, ku Kina ka marrë nën kontroll zona të mëdha në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

"Sigurisht që është fjala për ujërat ndërkombëtare, ku ne jemi zotuar se anijet tona do të vazhdojnë të lundrojnë dhe aeroplanët tanë do të vazhdojnë të fluturojnë mbi ujërat ndërkombëtare, në përputhje me ligjet që ne i gjykojmë si të domosdoshme".

Udhëtimi i Sekretarit Pompeo vjen në një kohë kur negociatorët kinezë sapo kanë përfunduar një raund të ri bisedimesh tregtare me Shtetet e Bashkuara në Shanghai. Presidenti Donald Trump tha se Kina mund ta zvarrisë procesin sepse Pekini preferon të bisedojë me një president demokrat.

"Atyre do t’u pëlqente nëse unë humb zgjedhjet, në mënyrë që të mund të bisedonin me dikë si Elizabeth Warren, Joe Biden-in 'e përgjumur' ose njërin nga këta njerëz. Sepse atëherë ata do të mund të vazhdojnë të shfrytëzojnë vendin tonë, siç kanë bërë në 30 vitet e fundit".

Presidenti Trump paralajmëroi udhëheqësit e Kinës se nëse ata presin për të parë nëse ai do të rizgjidhet, kushtet e negociatave do të jenë shumë më të ashpra në një mandat të dytë të mundshëm./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat