SHBA kritikojnë Kinën për politika destabilizuese

Bota

SHBA kritikojnë Kinën për politika destabilizuese

Më: 5 gusht 2019 Në ora: 07:12
Mike Pompeo dhe Mark Esper

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka kritikuar ashpër veprimet “destabilizuese” të Kinës në rajonin e Azi-Paqësorit gjatë udhëtimit të tij të parë në rajon.

Në komentet për gazetarët në Sidnej së bashku me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, Sekretari Esper tha se Shtetet e Bashkuara janë kundër “një tendence shqetësuese sjelljesh agresive e destabilizuese nga Kina”.

Sekretarët Esper dhe Pompeo vunë në dukje militarizimin nga Pekini të ishujve në Detin e Kinës së Jugut dhe e akuzuan Pekinin se po nxit vjedhje të mandatuar nga shteti të pronës intelektuale të vendeve të tjera dhe po zbaton praktika grabitqare ekonomike.

Duket se fraza e fundit është në referencë ndaj të ashtu-quajturave “gracka borxhi” si marrëveshjet e vitit 2017 që i dhanë Kinës kontroll mbi një port të Sri Lankës. Pasi nuk arriti të shlyente me rregull këstet e borxhit, Sri Lanka u detyrua t’i kalonte Kinën kontrollin e portit për 99 vjet.

Mendohet se Kina ka marrë në shfrytëzim sasinë më të madhe të pronës intelektuale në historinë e njerëzimit, duke e vjedhur pa leje dhe pa shpërblim për të modernizuar arsenalin ushtarak.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo tha të dielën se Shtetet e Bashkuara nuk po u bëjnë presion vendeve të tjera “të zgjedhin” mes Amerikës dhe Kinës. Por aleatët në rajon po e ndjejnë gjithnjë e më shumë shqetësimin nga tensionet e shtuara ekonomike e ushtarake mes SHBA dhe Kinës.

Ministrja e Jashtme e Australisë, Marise Payne vlerësoi “miqësinë e fortë” mes Shteteve të Bashkuara dhe Australisë, por shtoi se edhe Kina është një partner jetik strategjik për vendin e saj./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat