El Salvadori shfajëson nënën për vrasje të foshnjës

Bota

El Salvadori shfajëson nënën për vrasje të foshnjës

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 12:07
Pamje nga protestat për ligjet kundër abortit. Foto nga arkivi.

Evelyn Hernández, 21-vjeçare, foshnja e të cilës është gjetur e vdekur në banjon ku ajo ka lindur, është liruar nga akuzat për vrasje gjatë gjykimit të saj.

Ajo ka deklaruar vazhdimisht se është e pafajshme, duke thënë se nuk e ka ditur se është shtatzënë dhe se ka humbur vetëdijen gjatë lindjes.

Prokurorët kanë kërkuar që ajo të dënohet me 40 vjet burgim.

Rasti i saj është ndjekur nga afër në El Salvador dhe vende tjera në botë, pasi aktivistët për të drejta të grave kanë kërkuar shfajësimin e saj.

El Salvador njihet si një prej vendeve me ligjet më të ashpra kundër abortit.

Aty aborti është i paligjshëm në të gjitha kushtet dhe ata që gjenden fajtorë për kryrje të tij përballen me dënime me burg nga dy deri në tetë vjet.

Madje në disa raste, duke përfshirë atë kundër Hernandezit, akuza ndryshohet në vrasje, dhe dënimi minimal është 30 vjet burgim.

“Falemnderit Zotit, drejtësia është vënë në vend”, ka thënë Hernandez teksa është larguar nga ndërtesa e gjykatës pas 33 muajve “të vështirë” në burg.

“Unë do të vazhdoj të ardhmen duke studiuar dhe do të arrijë synimet e mia. Jam e lumtur”, ka thënë ajo për agjencinë e lajmeve AFP.

Organizata ndërkombëtare, Amnesty International e ka përshkruar këtë lajm si “fitore për të drejtat e grave në El Salvador” dhe i ka bërë thirrje qeverisë që t’i japë fund “praktikës diskriminuese të kriminalizimit të grave”.

Edhe zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut i ka kërkuar më parë El Salvadorit që të bëjë reforma në ligjet për abort.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat