Shoferi amerikan i Tesla-s xhirohet duke fjetur gjatë vozitjes

Bota

Shoferi amerikan i Tesla-s xhirohet duke fjetur gjatë vozitjes

Më: 24 gusht 2019 Në ora: 15:23
Foto

Në internet është publikuar një fotografi shqetësuese, në të cilën një vozitës i veturës “Tesla” shihet duke fjetur në kohën kur automjeti ishte në lëvizje në një rrugë të ngarkuar me vetura në Shtetet e Bashkuara.

Pamjet janë xhiruar nga Alisha Gallon në rrugën “Interstate 5” të Los Angeles-it. Videoja më pas u publikua në Twitter nga bashkëshorti i saj gazetar, Clint Oliver, i cili tha se ky është një fenomen shqetësues.

Në video, Oliveri është duke vozitur fillimisht prapa veturës “Tesla”, ndërsa kur veturat barazohen në dy shirita të ndryshëm, gruaja e tij dëgjohet duke thënë: “Ai është tërësisht i fjetur, kjo është çmenduri”.

Vozitësi shihet me duar të vendosura mbi gjoks në vend se t’i kishte në timon. Sidoqoftë, në fund të videos, ai zgjohet dhe e kap timonin me duar.

Aftërsia vetëvozitëse e Tesla-s ua mundëson vozitësve pushimin e pjesshëm, sepse vetura mund të drejtojë rrotat, të përshpejtojë dhe të frenojë në mënyrë automatike, por gjithmonë nën mbikëqyrjen e shoferit.

Sipas ligjit të Kalifornisë, personat që vozisin vetura me mundësi të vetëvozitjes nuk e kanë të ndaluar të flenë, por ata mund të arrestohen, nëse vlerësohet se e kanë rrezikuar veten apo të tjerët, shkruan “Sky News”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat