Shefi i negociatave i militantëve talibanë ka thënë se i kanë dyert të hapura për bisedime me Shtetet e Bashkuara, disa orë pas dy sulmeve të përgjakshme, për të cilat e morën përgjegjësinë dhe në të cilat mbeten të vrarë së paku 48 persona.
Bisedimet e paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve, me të cilat synohej arritja e marrëveshjes për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, dështuan javën e kaluar pasi presidenti Trump u tërhoq nga to shkaku i vrasjes së një ushtari amerikan.
Sher Mohammad Abbas Stanikzai tha për BBC-në se luftëtarët talibanë nuk kanë bërë asgjë të gabuar përmes vazhdimit të luftës gjatë bisedimeve. Ai tha se edhe amerikanët kanë pranuar se i kanë vrarë mijëra talibanë gjatë negociatave.
“Sa i përket anës sonë, dyert janë të hapura për negociata”, citohet të ketë thënë Stanikzai.
Në sulmet e së martës i lanë të vrarë 26 persona në një tubim zgjedhor të presidentit afgan, Ashraf Ghani, ndërsa 22 njerëz të tjerë u vranë në një shpërthim në Kabul vetëm një orë pas sulmit të parë.
Këto sulme i ka dënuar sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo. Ato ndodhën vetëm 11 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në shtetin e rrënuar nga lufta, shkruan “Free Europe".